Aktualitet Mashtroi dhe i zhvati paratë administratorit të biznesit, arrestohet 32-vjeçari

Mashtroi dhe i zhvati paratë administratorit të biznesit, arrestohet 32-vjeçari

Një 32-vjeçar është arrestuar ditën e sotme pasi mashtroi një administrator të një biznesi dhe i mori paratë. Sipas informacioneve nga Policia e Elbasanit, 32-vjeçari banues në Lezhë mashtroi administratorin e një biznesi në fshatin Qukës të Librazhdit.

Në banesën e të arrestuarit u gjetën municione luftarake dhe një armë e ftohtë, thikë, ndërkaq policia po punon për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë.

“I mori një shumë parash, me anë të mashtrimit, administratorit të një biznesi, kapet dhe vihet në pranga 32-vjeçari. Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Elbasan, si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale që u kryen menjëherë pas kallëzimit të administratorit të një biznesi në fshatin Qukës, Librazhd, se ishte mashtruar nga një shtetas, për dhënien e një shume parash, kanë organizuar punën, dhe si rezultat kanë kapur dhe kanë arrestuar në flagrancë autorin e dyshuar të rastit, shtetasin K. P., 32 vjeç, banues në Lezhë.

Ky shtetas, dyshohet se më datë 02.05.2024, nëpërmjet mashtrimit, i ka marrë një shumë parash, shtetasit F. Rr., 56 vjeç. Gjatë kontrollit në banesën e 32-vjeçarit, të kryer në bashkëpunim me strukturat e Policisë Lezhë, janë gjetur dhe sekuestruar municion luftarak dhe 1 mjet prerës (thikë), të cilat do të dërgohen për ekzaminime.

Vijojnë veprimet hetimore për identifikim e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme,” njofton Policia e Elbasanit.