Me një investim prej 10 milionë eurosh, 2.4 prej të cilave dhuratë e Bashkimit Europian në 107 vjetorin e krijimit të Policisë së Shtetit, reparti RENEA do të ketë një “shtëpi” të re. I pranishëm në ceremoninë e organizuar për këtë rast, kryeministri Edi Rama premtoi se 2020 do të jetë viti i ofensivës ndaj krimit të organizuar. Pjesë e kësaj lufte thotë se është dhe ligji anti-KÇK, që siç lajmëron është duke u konsultuar me partnerët ndërkombëtar.
“Për këtë arsye ne kemi ndërmarrë nismën e një pakete ligjore që jemi duke e kolauduar këto ditë që flasim edhe me partnerët tanë të pazëvendësueshëm, SHBA dhe BE dhe në ditët në vijim do ta kthejmë në një bazë ligjore për të ndërmarrë ofensivën më shembullore ndaj krimit të organizuar, duke zhvilluar një aktivitet si asnjëherë më parë agresiv në terren të Policisë së Shtetit ndaj të gjithë atyre që janë dënuar, janë akuzuar, por i kanë shpëtuar dënimit si rezultat i KÇK dhe ka ardhur koha të provojnë se pasuria e tyre nuk buron nga krimi, ose përndryshe të dorëzojnë pasurinë e tyre. Paralelisht me ta, ne do bëjmë të mundur vendosjen me shpatulla pas murit të çdo anëtari të KÇK në Prokurori apo Gjykatë që do marrë vendime në kundërshtim me ligjin”, tha Rama.
Kryeministri premton investime të ngjashme gjatë 2020 dhe për Akademinë e Sigurisë, për repartin e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, si dhe ngritjen e një laboratori shkencor në dispozicion të Policisë së Shtetit. Dhe duket se nuk do të mungojë dhe mbështetja financiare e BE, Ambasadori Soreca lajmëron se gjatë 2 viteve të ardhshme unioni ka parashikuar dhënien e 19 milionë euro, të tjera për të përmirësuar rendin dhe sigurinë.