Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një dialog me të gjithë qytetarët për qeverisjen vendore dhe jo vetëm. Pas mbledhjes së Kryesisë që u zhvillua ditën e sotme, kreu i qeverisë pati një prononcim për gazetarët. Ai u pyet se pse ka vendosur që pjesë e diskutimit të qytetarëve do të jetë edhe opozita duke qenë se në fillim të mandatit ka thënë që nuk ka kohë të humbasë me kundërshtarët.
Për kryeministrin, konteksti kërcënues ku bën pjesë sot edhe Shqipërisë kërkon që të jemi “sa më të qartë, sa më të vendosur, sa më të bashkuar dhe sa më të lidhur me partnerë dhe me aleatë të fuqishëm”. Për këtë sipas tij do ishte e mirë të kishim një opozitë që i rri mirë këtij konteksti. Por për Ramën, opozita në Shqipëri premton vetëm izolim nga bota dhe është e zhytur në thesin e rublave. Po ashtu sipas tij mënyra se si vepron opozita në mënyrë të përditshme mban erë.
Pyetje: Kur e morët mandatin thatë që nuk kishit kohë të humbisnit me kundërshtarët ndërkohë që lajmëruat se pjesë e diskutimit me qytetarët do të jetë edhe opozita.
Edi Rama: Nuk është çështja e pjesë e diskutimit të qytetarëve do të jetë edhe opozita, çështja është që në këtë epokë kërcënimi të madh kur Shqipëria nuk bën përjashtim nga gjithë ky kontekst kërcënues dhe kur na duhet të përballemi me pasojat e diçkaje që është jashtë nesh dhe që vjen edhe tek ne njësoj siç erdhi tërmeti, njësoj siç erdhi pandemia, na duhet të jemi sa më të qartë, sa më të vendosur, sa më të bashkuar dhe sa më të lidhur me partnerë dhe me aleatë të fuqishëm. Sigurisht që do të ishte mirë të kishim një opozitë që do të rrinte mirë në këtë kontekst, por për fat të keq kemi një opozitë që premton vetëm izolim nga bota dhe nga ana tjetër është e zhytur në thesin e rublave. Është fatkeqësi dhe edhe veprimtaria edhe mënyra se si vepron në mënyrë të përditshme mbajnë erë. Ajo çka dimë nuk është e gjitha ajo që duhet ditur.
Në lidhje me këtë fjali të fundit, Rama u pyet se çfarë është ajo që di ai më shumë. Por kreu i qeverisë nuk e komentoi.
Po ashtu sipas Ramës, qeveria do të vazhdojë që të mbrojë nga rritja e energjisë biznesin e vogël dhe familjet. Sipas Ramës, dimri do të jetë i vështirë, por masat që qeveria ka marrë do ta përballojnë situatën.