Kryeministri Edi Rama ka prezantuar Pjerin Ndreun si kandidat të Partisë Socialiste për Bashkinë e Lezhës në zgjedhjet e 30 Qershorit. Në tubimin elektoral të socialistëve në këtë qytet, Kryeministri Rama u shpreh se zgjedhjet jo demokratike pa opozitën janë të tilla kur ajo pengohet që të marrë pjesë në zgjedhje.
Mirëpo, kjo situatë nuk po ndodh në Shqipëri, theksoi Rama, duke thënë se opozita ka vendosur vetë që të mos marrë pjesë në zgjedhje. Arsyeja për këtë, Kryeministri tha se është frika që opozita ka nga reforma në drejtësi.
“Ata që vendosën të ikin nga zgjedhjet nuk kanë në dorë asgjë tjetër. Drejtimi i Shqipërisë, edhe drejtimi ynë dihet. Zgjedhjet pa opozitën kryesore janë anti-demokratike vetëm atëherë kur opozita pengohet të hyjë në zgjedhje. Por kur ajo vendos vetë që të mos hyjë në zgjedhje, zgjedhjet nuk janë aspak anti-demokratike. Ngaqë nuk fitojnë dot, thonë ne duam të ikni ju dhe të vijmë ne.
Dhe që të ikni ju dhe të vijmë ne, thonë ne s’duam zgjedhje se nuk fitojmë dot. Kjo nuk është parë askund, dhe nuk ka për t’u parë as këtu, të jeni të sigurtë. Janë të alarmuar nga reforma në drejtësi, nuk e kanë dashur që nga dita e parë. Paniku i shtyn në një rrugë ku vetëm kokën e tyre mund të thyejnë dhe ndonjë xham, por Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk i bëjnë dot asnjë gjë”, u shpreh Rama.