Kryeministri Edi Rama deklaroi këtë të mërkurë se paketa antishpifje do të miratohet. Gjatë një konference së bashku me ministren e Jashtme suedeze, Anne Linde, Rama tha se ligji që do të kalojë nuk do të bëhet për t’i mbyllur gojën gazetarëve.
“Për sa i përket ligjit, ligji është i konsultuar një vit me OSBE-në dhe i miratuar nga OSBE-ja ndërkohë që tani po bëhet adoptimi i Komisionit të Venecias dhe ligji do të kalojë jo për t’i mbyllur gojën gazetarëve, por për të krijuar një mjedis më etik ku të gjithë mund të flasin, por ata që janë pre e sulmeve të pabaza kanë mundësi të mbrohen. Ne do ta miratojmë ligjin sepse në këtë xhungël disinformimi, keqedukimi, sulme ndaj personaliteteve përmes shkeljes së përditshme të etikës së medias së paku individët të kenë të drejtën të kërkojnë llogari përpara gjykatës çdokujt që i sulmon dhe fshihet pas anonimatit apo burimeve të jashtme. Në fakt u bien njerëzve si të ishin të pavlerë në shoqërinë tonë. Kjo nuk mund të vazhdojë”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se mazhoranca nuk do ta çojë më draftin tek Komisioni i Venecias për të marrë opinionin e saj. Sa i përket konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në, kreu i qeverisë u shpreh se do të donte të ishte zhvilluar që në 2017-n, por nuk është ai personi që e vendos.
“Nuk mund ta vë unë datën. Po të ishte për mua data e konferencës së parë ndërqeveritare duhet të ishte Dhjetor 2017. Sa i përket pyetjes tjetër, jo nuk do ta çojmë në Komisionin e Venecias”, tha Rama.
Ministrja e Jashtme suedeze, Anne Linde, tha se vendi i saj mbështet Shqipërinë për integrimin Europian. Ajo vlerësoi punën e qeverisë për reformën në drejtësi.
“Suedia mbështet plotësisht Shqipërinë në vendimin për hapjen e bisedave për zgjerimin e BE-së dhe gjithashtu vlerësojmë punën e vështirë dhe serioze të bërë nga qeveria juaj për përgatitjen për kandidaturën dhe të ardhmen për anëtarësimin. Gjithashtu kur shohim raportet nga BE-ja një fushë ku Shqipëria ka qenë e suksesshme është sistemi i ri i drejtësisë prandaj jam e bindur që një arsye se pse jam këtu me ministrin e Punëve të Brendshme është të diskutojmë më nga afër problematikat e lidhur me krimin e organizuar. Ne e mbështesim paketën e zgjerimit dhe patjetër që pjesë e kësaj problematike do të jenë reformat në vijimësi. Përparimi i mbështetur në merita. Një nga gjërat pozitive që raporti thoshte për Shqipërinë ishte projekti për drejtësinë. Deri tani është zhvilluar shumë mirë. Patjetër që e shikojmë me pozitivitet”, tha Linde.
Si Rama dhe Linde vunë theksin edhe tek bashkëpunimi në fushën e sigurisë në të ardhmen në luftën kundër krimit të organizuar. Kujtojmë që Suedia do të pasojë Shqipërinë në kryesimin e OSBE-së.