Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me studentët e Universitetit “Fan Noli” në Korçë, paralajmëroi se të gjithë pedagogët problematikë do të vendoset me shpatulla pas muri.
“Pedagogët problematikë do të vendosen me shpatulla pas muri, ndërsa pedagogët e ndershëm dhe profesionistë që janë shumica, unë e kam bindje këtë nuk e them për propagandë, do të shpëtojnë një herë e mirë nga përzierja e të njomit me të thatin dhe trajtimi i të gjithëve njësoj si këmbët e dhisë.
Katranjosësit janë të interesuar që të gjithë të jenë si këmbët e dhisë. Të paaftët dhe injorantët janë gjithmonë të interesuar t’i bëjnë të gjithë njësoj, se kështu kanë statusin e të qenit të barabartë. Këtë e shikon kudo, në politikë, në jetë, në shkollë e kudo. Kur vjen puna tek arsimi dhe universiteti kësaj duhet ti vëmë fre që të kemi një rritje cilësore të Universitetit”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë tha se një herë në vit, studentët do të bëjnë vlerësimin e pedagogëve me metoda si i ka gjithë bota.
“Janë mbledhur disa pedagogë që deklamojnë gjëra të mëdha, kërkojnë abrogimin e ligjit, kërkojnë disa gjëra dhe thonë të ndalet denigrimi i profesoratit. Kush po e denigron profesoratin?
Në fakt nuk është ky thelbi, thelbi është të ndahen pedagogët e nderuar dhe të respektuar nga sharlatantët, të cilët janë një ndër simptomat më domethënëse të sëmundjes që ka universiteti”, përfundoi kryeministri.