Nëse ka një ide të gabuar për Shqipërinë në botë, kjo sipas kryeministrit Rama lidhet me gazetarët dhe jo me përshtypjet e atyre që vizitojnë Shqipërinë.
Në një intervistë për gazetën gjermane “Die Welt”, kreu i qeverisë thotë se vendi ka bërë progres edhe në çështjen e imazhit.
“Gjithmonë e më shumë njerëz po vijnë në Shqipëri dhe po kuptojnë që vendi ynë është tërësisht i ndryshëm nga përgjithësimet negative mund të kenë besuar. Kjo ide do të përhapet, por në të njëjtën kohë, dembelizmi gazetaresk është një karakteristikë e kohëve tona. Për një gazetar dembel nuk mund të presësh lajme të mira, por vetëm lajme të këqija, sepse pa dyshim ato shesin më shumë.”
Pritshmëritë e qeverisë për hapjen e negociatave janë brenda qershorit ose në vjeshtën e këtij bazuar në rekomandimin e Komisionit, por kryeministri Rama tha se problemet e brendshme e kanë bërë Brukselin të mos japë një datë konkrete për këtë proces.
“Është e pamundur tashmë që të parashikosh çfarëdo gjëje rreth asaj që Bashkimi Europian do të bëjë më tej. Ky është një problem brenda familjes dhe parashikueshmëria është gjëja e fundit që mund të kërkojmë. Ndaj është e rëndësishme që pikë së pari kemi bërë detyrat tona të shtëpisë dhe se që prej vitit të kaluar, konsiderohemi nga Komisioni Europian se jemi tanimë gati për hapjen e negociatave.”
I pyetur nëse kjo situatë ka dekurajuar qeverinë shqiptare dhe atë personalisht Rama thotë se Shqipëria nuk është trajtuar si vendet e tjera në këtë proces.
“Tani, edhe holandezët, të cilët janë skeptikë, kanë thënë që kemi bërë hapa të mëdhenj përpara. Ne kemi kaluar të gjithë gjykatësit dhe prokurorët në sitën e një procesi shumë të vështirë vetingu dhe po pastrojmë sistemin në një mënyrë që asnjë vend tjetër negociues nuk e ka bërë më parë. Kjo është bukuria dhe çudia e këtij procesi, sepse ndërsa duhet ende të hapim negociatat, kemi realizuar gjëra që vendet negociuese duhet ende t’i realizojnë.”
Rama vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Gjermanisë dhe rolin e kancelares Merkel në integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke e quajtur atë një kampione të papërsëritshme.