Në një takim me drejtuesit e rinj të Policisë së Shtetit, Kryeministri i vendit Edi Rama ka ngritur pikëpyetjen në lidhje me të shumëkërkuarin e Policisë, Ervis Martinaj.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama është shprehur se është e papranueshme që për një nga figurat më të zeza të botës së krimit, Policia nuk di ta thotë nëse Martinaj është vrarë apo jo.
“Ky Gusht dhe gjithçka që ka ndodhur në këtë Gusht duhet të shërbejnë si shuplakë për t’u ngritur në këmbë dhe për të vrapuar drejt objektivave më ambicioze për Policinë e Shtetit. Si është e mundur që Policia e Shtetit akoma sot, tani që flasim nuk e ka një përgjigje për fatin e njërit prej profileve më të larta të krimit të organizuar në Shqipëri? Unë nuk e kam dëgjuar. Është e papranueshme që me javë të tëra mëngjeset dhe darkat e shqiptarëve janë bërë si një Big Brother i kronikës së zezë. Jo u vra, jo s’u vra ai që ishte i shumëkërkuar nga drejtësia dhe çfarë nuk dëgjojnë njerëzit lloj-lloj legjendash me luanë, me bamirësa, me oligarkë, shto ujë e shto miell si një serial absurd për një nga figurat më të zeza të botës së krimit shqiptar dhe Policia e Shtetit, sot nuk di ta thotë akoma, ore u vra apo nuk u vra? Kush e ka penguar që ta thotë?”
Gjatë fjalës së tij, Rama është shprehur se drejtori i ri i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku që merr sot detyrën, duhet të sigurojë që dilema të marrë fund, nëse i shumëkërkuari i Policisë Ervis Martinaj është vrarë apo jo.
“Drejtori i ri Policisë së Shtetit që merr sot detyrën si një nga oficerët me eksperiencën më të gjatë në shkallët e karrierës policore, duhet të sigurohet dhe të sigurojë që kjo dilemë të marrë fund sa më parë dhe nëse i shumëkërkuari është vrarë, t’i thuhet publikut që është vrarë, nëse nuk është vrarë të gjendet, të kapet dhe t’i jepet drejtësisë”.