Aktualitet Edi Rama i ashpër me policinë: Ky Gusht duhet të shërbejë si...

Edi Rama i ashpër me policinë: Ky Gusht duhet të shërbejë si shuplakë për t’u ngritur në këmbë

Në 55 minuta të fjalës së tij ku prezantoi Drejtorin e ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku dhe kreun e AMP-së, Ardi Veliu, Kryeministri Edi Rama u tregua i ashpër me trupën policore për gjendjen e Policisë së Shtetit, duke marrë shkas nga zhvillimet dhe ngjarjet kriminale që kanë ndodhur sidomos në muajin Gusht.

“Gushti që na solli dhe këtu ku jemi ishte një befasi alarmuese, një situatë e rënduar jo vetëm me vrasje, por edhe me disa shenja të tjera shqetësuese, pavarësisht me gjithë vrasjet e Gushtit, ky vazhdon të jetë viti me numrin më të ulët, por me një diferencë të vogël tanimë me vitet e mëparshme, kjo nuk e ndryshon faktin që ky Gusht dhe gjithçka që ka ndodhur në këtë Gusht duhet të shërbejë si shuplakë për t’u ngritur në këmbë dhe për të vrapuar drejt objektivave shumë ambicioze për Policinë e Shtetit”.

Për shkak të tragjedisë që ndodhi në Potam të Himarës në fillim të muajit Gusht, Policia e Shtetit do të krijojë një njësi të re policore që do të monitorojë të gjithë aktivitetin me mjetet lundruese në det. Kjo njësi e re policore do të quhet “Jonada”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.

“Trupat policore të kufirit nuk kanë qenë në lartësinë e duhur, sidomos në bregdetin Jon. Shkarkimi i zinxhirit komandues të policisë kufitare ishte vendimi i duhur por nuk mjafton. Ka nisur puna për një reformë të plotë strukturore të gjithë ngrehinës institucionale që lidhet me detin. Është një lëmsh absolut. Ishte i padukshëm deri dje. Por çdo vit e më shumë duke u rritur ky aktivitet në det, ky është një lëmsh që është kthyer në një pengesë reale. Janë 6 Ministri që kanë kompetencat e tyre në det dhe përplasen me njëra-tjetrën. Kjo situatë duhet të marri fund që në sezonin e ardhshëm. I kam kërkuar ministrit të krijojmë njësi speciale policore që do quajmë Jonada dhe në vitin e ardhshëm të jetë aktive në monitorimin e ujit dhe nga ajri, duke imponuar rregullat e lëvizjes së mjeteve ujore dhe pa ju rënë në qafë për inerci të gjithë atyre që vizitojnë Shqipërinë përmes ujërave territoriale dhe që nuk kanë asnjë arsye të shohin polic me sy përsa kohë nuk kërcënojnë asgjë”.

Vdekja e 7-vjeçares në Potam të Himarës para më shumë se 1 muaji e cila u godit nga skafi i drejtuar nga polici Arjan Tase, është konsideruar nga Kryeministri Edi Rama si një tragjedi, që rëndohet akoma më shumë edhe nga profili i autorit.

“Shkelësi i cili  u kthye në vrasës nuk ishte një pushues i zakonshëm, por ishte një punonjës policie që normalisht edhe si pushues duhet të jetë shembulli i respektit për ligjin dhe për rregullin. Ky fakt e bëri tragjedinë jo vetëm për prindërit por edhe për çdo shqiptar jo thjesht të dhimbshme, por dhe shumë revoltuese për shkak të profilit të autorit. Ajo tragjedi nuk ka sot asnjë ngushëllim. Ishte vërtetë një neveri se si më të pangushëllueshmit u shfaqën ulëritësit profesionist në politikë dhe në media. Bëra gabim që u mora menjëherë ne reagimin e parë pas ngjarjes dhe krijova keqkuptimin se e kisha me atë që ishin të tronditur. Por në fakt nuk ishte kështu dhe të gjithë ata duhet ta dinë që jo vetëm i kam mirëkuptuar por me veten time në heshtje i kam përgëzuar me respekt ata djem dhe vajza që u organizuan për të dalë në një protestë paqësore. Natyrisht nuk isha dakord me opinionin e tyre që vogëlushen e vrau shteti por ndaj me ta dhimbjen për ngjarjen”.

Kryeministri Edi Rama tha se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po lufton brenda llojit efektivët që nuk janë të denjë për këtë organizatë.

Kryeministri solli edhe shifra të punonjësve të Policisë së Shtetit që janë dënuar nga gjykata. Kreu i qeverisë kërkoi me urgjencë që oficerët e policisë “të përlyer” të largohen nga Policia e Shtetit.

“Dua të ngre sot këtu një pyetje. A ishte ai individ i paudhë me skafin e tij vrastar shëmbëlltyra e sotme e Policisë së Shtetit? Unë them jo. As ai që uroj të marrë ndëshkimin më ekstrem dhe as të tjerë individë të cilët vetë AMP i ndjek, i heton, i ndalon, ia dorëzon drejtësisë nuk janë shëmbëlltyra e Policisë së Shtetit. Ata janë thjesht mbetje të një protagonizmi që është në transformim ku të paudhët brenda llojit nuk mungojnë por luftohen dhe më shumë se asnjëherë më parë edhe pse që në muajt e fundit kanë marrë një lloj hovi të paudhët dhe paudhësitë brenda llojit, një hov që duhet prerë sa më parë me forcën e ligjit dhe të disiplinës ushtarake. Falë angazhimit të trupës dhe drejtimit profesional të AMP nga Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë, vetëm nga Janari në Qershor të këtij viti janë dënuar me burg 29 punonjës police, me arrest shtëpie 31 të tjerë dhe 23 të tjerë akoma me masë të ndalimit të ushtrimit të çdo detyre. 12 nga këta të ndëshkuar janë ish-shefa komisariatesh apo sektorësh dhe madje edhe një drejtor”.

Kryeministri premtoi edhe rritje të pagave për trupën policore.

“Pagat ka ardhur koha që të rriten përsëri dhe do t’i rrisim menjëherë sidomos për nivelin bazë, por thënë kjo që do të thotë në thelb se pavarësisht se çfarë thuhet dhe gjithmonë do të thuhet për fat të keq, nuk ka pasur kurrë në historinë e Policisë së Shtetit një raport si ky që ne kemi vendosur me Policinë e Shtetit. Raport respekti, raport besimi dhe raport i bazuar tek mbështetja e plotë politike e të gjithë drejtuesve të përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Përballë drejtuesve të rinj të Policisë së Shtetit, Kryeministri Rama ka deklaruar se në këtë institucion po vendoset një standard i ri. Prerja e drurve të shtrembër në rreshtat e gjatë dhe të drejtë të Policisë së Shtetit është pjesë e pandashme e rritjes së saj. Ky është një standard i ri, i pamendueshëm deri disa vite më parë, të cilin e ka sjellë pikërisht një politikë e re me Policinë e Shtetit, që nga rekrutimi tani prej kohësh pa parti, pa rryshfet, tek shkollimi e deri tek monitorimi i punonjësve të Policisë”.