Kryeministri Edi Rama në një intervistë për Tonight Ilva Tare ka shpjeguar pse shkarkoi Ylli Manjanin si ministër të Drejtësisë.
“Nëse një ministër nuk respekton rregullat dhe detyrat që ka skuadra. Detyra e ministrit është të bëjë detyrat që mbulon portofoli i tij dhe jo të bëjë opinion bërësin, apo opinion tjetërsuesin”, tha Rama.
Tare: Ka pritshmëri të madhe për këtë intervistë. Të hënën shkarkuat Ministrin e Drejtësisë. Si është e vërteta e shkarkimit?
Rama: Nuk mund të ekzistojë një qeveri serioze në botë nëse një Ministër nuk respekton skuadrën, rregullat dhe mbi të gjitha detyrat. Detyra e Ministrit është të bëjë të gjithë detyrat që mbulon portofoli i tij dhe jo të bëjë opinionbërësin, opiniondhënësin apo opiniontjetërsuesin e qeverisë. Nuk ka asnjë problem ta bëjë këtë jashtë radhëve të kabinetit qeveritar.
Tare: E ka të ndaluar të flasë një ministër?
Rama: Qeveria ka një kod etik të miratuar me konsesus që përcakton saktësisht marrëdhëniet e çdo anëtari të kabinetit me kabinetin dhe publikun, Ministri ka detyrimin të flasë me publikun, pro ti shërbejë publikut si anëtar i qeverisë.
Tare: Manjani po pengonte reformën në drejtësi?
Rama: Zgjedhja e Ministrit të ri do forcojë dhe përmirësojë marrëdhënien e qeverisë me Kuvendin dhe do jetë një nxitje mjaft e nevojshme për të çuar përpara reformën në drejtësi. Me rëndësi është çfarë qeveria prodhon për të mirën publike.