Kryeministri Edi Rama deklaroi prerë se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen.
Këtë kryeministri e deklaroi nga Puka ku u shpreh qartë se zgjedhjet e tjera parlamentare do jenë në vitin 2021 dhe siguroi se opozita do jetë përsëri opozitë, madje me numra më të vegjël se aktualisht.
“Nuk kemi rrugë tjetër, do zbatojmë kontratën me popullin. Nuk e di ç’do bëjnë ata por në këto zgjedhje dhe në ato të 2021 populli do t’i lërë aty ku e kanë vendin, aty ku janë tani dhe do të jenë më të vegjël”, tha Rama.
Përsa i përket protestës, sulmet ndaj godinës së Kryeministrisë, Rama i quajti vandalizëm dhe film të përsëritur sa herë ka zgjedhje.
Por kreu i qeverisë u tha njerëzve se ata që akuzojnë për blerje votash nuk janë zgjidhja, por vetë problemi.
“Edhe kur janë në opozitë, janë pengesë për Shqipërinë, bam e bum ku rafsha mos u vrafsha, sjellje dhe akte të papranueshme. Vandalizmi ndaj godinës së qeverisë film i parë sa herë afrohen zgjedhjet. Kujt shqiptari që di për zgjedhjet nuk i besohet se këto që flasin për blerje votash janë zgjidhja dhe jo problemi?”, tha Rama.
Veprimet e opozitës janë për Ramën pengesë për integrimin e vendit dhe tentativë për të penguar reformën në drejtësi.