Kryesore Rama: Porti i Durrësit do të kalojë në dispozicion të Kosovës

Rama: Porti i Durrësit do të kalojë në dispozicion të Kosovës

Kryeministri Edi Rama, gjatë konferencës për shtyp me homologun e tij kosovar Avdullah Hoti, ka deklaruar pas mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive se gjatë javëve të ardhshme, do të bëhet i mundur kalimi i Portit të Durrësit në dispozicion të Kosovës.

Rama theksoi se kjo marrëveshje do të nënshkruhet javët në vijim dhe do të mundësojë që mallrat dhe produktet që mbërrijnë në Portin e Durrësit dhe kanë destinacion Kosovën, të trajtohen përmes autoriteteve doganore të Kosovës.

Brenda pak javësh do të shkoj të vizitoj Kryeministrin Hoti për të firmosur përfundimisht marrëveshjen që e kalon Doganën e Durrësit në dispozicion të plotë të Kosovës dhe që e kthen Portin e Durrësit port të Kosovës de facto”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.

Ndër të tjera, Kryeministri Edi Rama foli edhe për Shengenin Rajonal, pjesë e të cilës tashmë do të bëhet edhe Kosova, pasi është një nga pikat e nënshkruara në Uashington për marrëveshjen Kosovë-Serbi.

“Më vjen shumë mirë që tanimë tabuja e Shengenit Rajonal ka rënë dhe e përsëris edhe këtu, Shengeni Rajonal është projekti i fëmijëve tanë. Një projekt që asnjë burrë në çfarëdo moshe qoftë nuk mund ta marri peng dhe nuk duhet ta vonojë duke shfrytëzuar mandat përfaqësimi nga populli ynë këtej dhe andej Bjeshkëve. Shengeni Rajonal është një projekt i cili do të ndikojë drejtpërdrejt në një të ardhme shumë më të mirë për rininë tonë, për fëmijët tanë”, deklaroi Rama.