Numri i qytetarëve shqiptarë që kanë plotësuar pyetësorin online të Këshillimit Kombëtar ka shkuar në 30 048 persona. Është kryeministri Edi Rama që ka bërë publike këtë fakt në rrjetet sociale ndërkohë që ka postuar edhe pyetjen 10 në formular.
Në këtë pikë, qytetarët shqiptarë do të përgjigjen për gjyqtarët dhe prokurorët që nuk kanë kaluar ende Vettingun.
“Ka njerëz që thonë se gjyqtarët dhe prokurorët, që nuk kanë kaluar ende Vetingun, duhet të pezullohen automatikisht nga sistemi i drejtësisë nëse vendimmarrjet e tyre janë haptazi në kundërshtim me ligjin. Të tjerë thonë se pezullimi dhe përjashtimi nga sistemi duhet të kryhet sipas procedurave në fuqi. Si mendoni ju?
Pavarësisht se vitet e fundit janë bërë ndryshime legjislative për të luftuar fenomenin e njohur si KÇK, një pjesë e gjyqtarëve dhe prokurorëve në pritje të Vetingut vazhdojnë të abuzojnë me pushtetin e drejtësisë. Aktualisht, nuk është i mundur pezullimi automatik i tyre nga institucionet kompetente të drejtësisë në rastet kur konstatohen vendimeve haptazi të paligjshme, sepse për të realizuar pezullimin institucionet duhet të kryejnë hetime të thelluara që kërkojnë një kohë të gjatë”, thuhet në formular.
Ndërkohë qytetarët kanë 3 opsione për përgjigje.
“Gjyqtarët dhe prokurorët që abuzojnë me detyrën e tyre duhet të pezullohen automatikisht nëse vendimmarrjet e tyre janë haptazi në kundërshtim me ligjin.
Gjyqtarët dhe prokurorët që abuzojnë me detyrën e tyre nuk duhet të pezullohen pa një hetim të thelluar sado kohë që ky hetim të kërkojë.
Nuk di të gjykoj mbi këtë çështje”.
Rama fton ndër të tjera qytetarët që të bëhen “pjesë e këtij kuvendimi popullor për çështje me rëndësi strategjike për Shtëpinë tonë Shqipërinë”.