Nisi sot ndërtimi i parkut më të madh fotovoltaik në të gjithë Ballkanin Perëndimor. I pranishëm në një ceremoni që u zhvillua këtë të premte ka qenë edhe kryeministri Edi Rama, i cili është ndalur të flasë për sektorin e energjisë.
Kreu i qeverisë përsëriti se nuk do të rritet çmimi i energjisë për familjet dhe biznesin e vogël. Kreu i qeverisë tha se situata po përballohet duke ruajtur sistemin me taksat më të ulët në rajon. Por pavarësisht vështirësive, Rama u shpreh se nuk do të heqë dorë nga vizioni i “Shqipërisë 2030” për ta transformuar Shqipërinë në një vend të pavarur nga pikëpamja e energjisë.
“Ne edhe kur kemi vitin më të lagësht të mundshëm ne përsëri nuk i mbulojmë 100% të nevojave. Kur vitet janë si 3 vitet e fundit, atëherë vështirësia bëhet shumë e madhe”, u shpreh Rama.
Sipas tij, energjia nuk duhet të jetë hall për buxhetin e shtetit, por kontributor neto në të. Por kërkon që të bëhen investime si parku fotovoltaik i Karavastasë e cila do të ndërtohet nga kompania franceze Voltalia. Po jo vetëm HEC-et dhe energjia diellore. Kreu i qeverisë, tha se do të nxirret maksimumi edhe nga gazi. Kreu i qeverisë u ndal tek testet në Shpirag që nëse gjërat shkojnë siç janë deri tani, do të jetë një frymëmarrje e jashtëzakonshme për vendin tonë.
“Po ashtu do të nxjerrim maksimumin nga një konjekturë e re që na vendos në një pozicion strategjik shumë të rëndësishëm në raport me shumë partnerë sa i përket gazit. E keni ndjekur besoj gjithë punën intensive të materializuar në marrëveshje. Presim me padurim edhe finalizimin e testeve për sasinë e gazit dhe të naftës të zbuluar në zonën e Shpiragut që nëse të gjitha gjërat do të shkojnë deri në fund ashtu siç deri tani do të jetë një frymëmarrje e jashtëzakonshme për vendin tonë, do të jetë një bekim i madh dhe do të jetë dalja përfundimisht në një nivel tjetër e Shqipërisë”, u shpreh Rama.
“Së shpejti do të kemi të tjera të reja të bukura nga ky sektor”, theksoi ndër të tjera Rama.