Ekonomi “Këtu mbaron tensioni i Erion Braçes”, Rama: Në Karavasta, parku më i...

“Këtu mbaron tensioni i Erion Braçes”, Rama: Në Karavasta, parku më i madh me energji diellore në Ballkan

Kryeministri Edi Rama tha se parku fotovoltaik në Karavasta do të jetë parku më i madh me energji diellore në Ballkan. Ndërtimi i parkut, i cili sipas Ramës do të ketë një kapacitet prej 140 MGW në një sipërfaqe 120 hektarë, është bërë në bashkëpunim me kompaninë franceze Voltalia.

“Më vjen keq që shefi i madh i Voltalia, humbi avionin. Janë të gjithë avionët në Europë që vonohen dhe situata është në një kaos të vërtetë”, tha Rama në ceremoninë e organizuar për nisjen e punimeve. “Më vjen shumë mirë që për rastësi, kam qenë me Presidentin e Francës në Madrid dhe kemi folur edhe për angazhimin e Voltalias në Shqipëri dhe investimin tjetër në zonën e Spitallës, i cili është në fazën përgatitore”.

Kryeministri përgëzoi për kontributin e tyre në këtë projekt edhe dy bashkëpunëtorët e tij. “Më vjen mirë që këtu mbaron i gjithë tensioni i Erion Braçes për realizimin e kësaj vepre dhe hymë në fazën e marrjes frymë të lehtësuar. Erioni meriton përgëzime për ndihmën që ka dhënë për lehtësimin e këtij procesi. Edhe pse ka bërë thjesht detyrën, Belinda (Balluku, ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës) meriton vlerësim të posaçëm, pasi procesi ka qenë sfidues, por edhe histori suksesi”.

Rama tha se Shqipëria mbetet i vetmi vend që nuk e ka prekur dhe do të vazhdojë të mos e prekë çmimin e energjisë për familjarët dhe biznesin e vogël. “Gjë që bën që norma e inflacionit, që është sot problemi kryesor i të gjitha qeverive, në Shqipëri të jetë ndjeshëm më e ulëta në rajon”.