Kryeministri Edi Rama deklaroi se kontrata me kompaninë Pfizer për të siguruar vaksinat antiCovid është e mbrojtur nga sekreti tregtar dhe nuk do të bëhet publike.
“Kontrata me Pfizerin është e mbrojtur në të gjithë botën nga sekreti tregtar, nuk bëhet publike përtej dëshirës sime”, tha Rama.
Rama tha se pati dëshirë që ta bëjë publike kontratën, por aty është vendosur klauzola e sekretit tregtar. Sipas kreut të qeverisë asnjë vend i BE-së nuk e ka bërë publike kontratën me Pfizer.
“Ishte dëshira ime që ta bëj publike, s’ka asnjë gjë sa më takon për të fshehur, por kontratat janë kontrata dhe klauzola e sekretit tregtar është aty. Nëse gjeni një vend të BE-së apo cilido tjetër që do e bëjë publike ne do jemi të dytët që do e bëjmë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë tha se çmimi i vaksinës është fiks, por sekreti tregtar ka të bëjë me modalitete të ndryshme të kontratës si për shembull sasitë që do të shpërndahen, koha etj.
“Ju mund të dyshoni për çfarë keni dëshirë është e drejta juaj, por dyshimet mund t’i lehtësoni duke parë praktikat e të gjithave dhe sekreti që mbulon kontrata e Pfizer nuk lidhet me çmimin, çmimi është fiks, por lidhet me modalitetet e çdo kontrate dhe sipas negociatave ka modalitete të ndryshme, për sasitë, kohën e kështu me radhë. Paratë që paguhen për Pfizer nuk janë sekret”, tha Rama.
Ai shtoi ndër të tjera se nuk ka asnjë vend për dyshim. Kreu i qeverisë theksoi se ishte përgatitur për ta bërë publike në parlament kontratën, por u ndalua pikërisht prej sekretit tregtar.
“U mbush me konspiracione ky vend dhe kjo botë me lloj-lloj marrëzish. Pfizer ka një kontratë me të gjithë vendet dhe asnjë kontratë e Pfizer në asnjë vend nuk është publike. Unë këtë gjë nuk e dija. Thashë që do të shkojmë në parlament dhe do ta bëjmë publike dhe më thanë që nuk do e bësh publike se ruhet nga sekreti tatimor. Çfarë ka për dyshime këtu?”, tha Rama.