Një ditë pas shembjes së Teatrit Kombëtar që shkaktoi pakënaqësi të shoqëruara me protesta, kreu i qeverisë Edi Rama ka shpërndarë mëngjesin e sotëm disa foto nga projekti për Teatrin e ri.
Rama shkruan se Teatri i ri Kombëtar do të ketë nesër pëlqimin e të gjithëve dhe do t’i japë komunitetit teatror skenën dinjitoze kombëtare që nuk e pati kurrë.
“Mirëmëngjes. Me projekt-idenë e Teatrit të Ri Kombëtar, konceptuar nga arkitekti i famshëm danez Bjarke Ingels. Duke ju uruar një javë të mbarë, dua gjithashtu t’ju siguroj se Teatri i ri Kombëtar do të ketë nesër pëlqimin e të gjithëve, qoftë të të shumtëve që kërkojnë sot dhe qoftë të të paktëve që sot nuk shohin më larg se dje…
Përvoja na mësoi se ashtu si me vepra të tjera publike, të përbaltuara e masakruara pa nisur akoma puna, nga të njëjtët ngatërrestarë profesionistë, edhe për këtë projekt të vonuar me dhjetra e dhjetra vite, do të flasë vetë vepra e përfunduar, e cila do t’i japë komunitetit teatror skenën dinjitoze kombëtare që nuk e pati kurrë; publikut shqiptar Teatrin Kombëtar që nuk u ndërtua kurrë; Tiranës e Shqipërisë së gjeneratave të tjera, një tjetër destinacion kulturor të përmasave europiane në çdo aspekt”.