Kryeministri Rama bëri të ditur bizneset dhe shërbimet që do të hapen nga e hëna e ardhshme, mes të cilave do të jetë edhe shërbimi taksi. Sakaq theksoi se do të qëndrojnë gati për t’u rikthyer në fazën fillestare nëse epidemia do të arrije në nivele të padëshirueshme.
“Dua të nënvizoj se protokollet duhen lexuar dhe zbatuar. Hapja vjen me risk dhe ne kemi mjete të rëndësishme penalizuese me masat e reja në Kodin Penal, por kjo nuk është çështje penalitetesh, por e ndërgjegjes për të mbrojtur shëndetin e vetes, familjes dhe të tjerëve. Hapja në të gjithë botën është një proces gradual dhe askush nuk e di si do të shkojnë gjërat. Kemi afishuar në e-Albania bllokun e bizneseve të lejuara dhe dua t’iu them të gjithëve që të marrin autorizim përkatës pasi do t’iu duhet kur të kontrollohen. Me një klik e merr autorizimin dhe e mban të afishuar në biznes. E gjithë hapja shoqërohet me protokolle.
Sot në e-albania ka një protokoll të përgjithshëm. Kush merr leje më pas do të ketë dhe protokollin specifik. Duhet shumë ndërgjegje dhe shumë angazhim për të mos ceduar, pasi nuk jemi në kushtet e zakonshme. Nuk është një përpjekje për t’ia hedhur shtetit.
Në faqe do të publikohen sot ose nesër aktivitetet që do të hapen më 27 prill. Të gjithë ata që do të hapin aktivitetin duhet të njihen me protokollin. Çdo aktivitet ka dhe kodin e vetë përkatës.
Ne iu japim mundësinë të kthehen në punë 27 mijë punonjësve të regjistruar, tregti në pakicë të veshje, tregtia me pakicë e tekstilëve, këpucëve, tregtia e mobiljeve, të ndriçimit, e luleve, bimëve, farërave, e bizhuterive, e pajisjeve audio dhe video. Do të hapet dhe shërbimi taksi, në të cilin do të lejohet të udhëtojë vetëm një pasagjer”, tha Rama.