Pamjet e shfaqura në media të qytetarëve që dynden të grupuar në rrugët e qyteteve gjatë orareve të lejuara për lëvizje kanë shqetësuar dhe vetë kryeministrin Edi Rama.
Ai apeloi qytetarët që tu qëndrojnë strikt këshillave për ruajtjen e distancës së sigurisë dhe të mos hedhin në kosh të gjithë sakrificat e bëra deri më tani.
Rama: Jemi të gjithë të kërcënuar njësoj. Sot është koha për të kursyer gjithçka mundemi. Nuk shkon që këtë sakrificë, kufizime skandaloze lirie që i kemi pranuar të gjithë bashkë si domosdoshmëri jetike ti hedhim në plehra duke mos qenë në gjendje të mbajmë një radhë si duhet në derën e një dyqani. Nëse në oraret e lejuara për këmbësorët ne grumbullohemi siç kemi bërë tërë jetën te dera e autobusit dhe nuk i bëjmë dot një vijë distancë nga njëri-tjetri kjo do të thotë të hedhim në plehra tërë frytet e sakrificës duke u mbledhur si cjepër të hanxharin e kasapit të padukshëm që ka ardhur të na hajë kokën. Çfarë të bëjmë më? Të dënojmë me burg ata që nuk po duan akoma të marrin vesh? Çfarë ka akoma të vështirë për të kuptuar se çdo grumbullim mund të jetë i fatalshëm për familjen tonë.
Përballë precedentëve të tillë ai kërkoi ndihmën e të bindurve.
Rama: Të gjithë atyre që janë futur në llogoren e rezistencës dhe janë 99% e kusur e popullsisë kur shkoni në radhë mos heshtni por kërkojini kujtdo që u rrezikon jetën e familjes suaj duke thyer distancën e sigurisë të bëjë të njëjtën gjë si bëni ju.
Shefi i qeverisë tha se është jetike që gjithësecili prej nesh të vetëdijësohet për rrezikun që i kanoset dhe se kjo situatë nuk është e mundur të zgjidhet vetëm me policë te koka.
Rama: Policia nuk është si koronavirusi që është kudo. Nuk mund të kapë çdo shkelës sikundër e kap ky armik i padukshëm. Ashtu siç jemi bërë tërë ushtarë në këtë luftë duhet të bëhemi dhe policë ku dikush rreth e rrotull na kërcënon jetën me papërgjegjshmërinë e tij. Nuk është koha për sherre, por për sensibilizim kudo e kurdo që shfaqet një shqipe e keqkuptuar rrotull nesh. Ne e kemi në dorë fatin tonë në këtë luftë. Duke mos hequr dorë nga rezistenca ne mund të dalim prej kësaj lufte pa plagë të pashërueshme dhe pa grumbuj të vdekurish si në Italinë mike dhe fqinje. Ta bëjmë këtë luftë me bollëkun e zemrës deri në fund për fëmijët tanë dhe gjyshërit e tyre, për familjen e vogël dhe familjen tonë shqiptare. Nuk do të na e falë historia që nga një luftë pa armë dhe pa ushtri përballë ne të dalim kokulur për zakonet dhe fajet tona. Zoti i shqiptarëve është i madh dhe na dhëntë të gjithëve forcën që na duhet në këtë sprovë të tmerrshme me vetveten.