Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se që me 8 prill i ka dërguar kryeministrit Edi Rama platformën për të unifikuar qëndrimin e të gjitha palëve politike me synimin e vetëm integrimin evropian dhe se nuk kishte marrë përgjigje.
Por, me anë të një postimi në Twitter, Rama shkruan se nuk ka marrë asnjë platformë dhe se është gati të ulet me të dhe me opozitën për të diskutuar për reformën në drejtësi.
“Presidenti nuk më ka dorëzuar asnjë platformë, por jam gati të ulem në çdo moment me të, me opozitën brenda/jashtëparlamentare e me partnerët e Reformës në Drejtësi, që t’i vëmë pikat mbi “i” të gjitha pikave të të gjitha palëve në shqip/anglisht, se teatri ra, iku e na la.
Presidenti t’i lërë apelet natën për 20 burra e ditën për 11 pika! Opozita t’i lërë ultimatumet trupore e sharjet fëminore! Të dy bashkë ta lënë teatrin e mbledhjeve të komitetit të shpëtimit, se Shqipëria, parlamenti, qeveria, s’kanë kohë të luajnë “e ka kush e ka” dezhurnin”, shkruan Rama.
Rama shkruan më tej se, “jemi në prag të miratimit të Planit të Veprimit për Negociatat në Këshillin Kombëtar të Integrimit, s’ka rast më të mirë që Presidenti, Opozita, Institucionet e Drejtësisë, Partnerët Ndërkombëtarë për Drejtësinë dhe Integrimin, të mblidhen urgjent në një tryezë me karta të hapura”.