Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish sa i takon akuzave për Portin e Durrësit.
Ai shprehet se ka një armiqësi sa i takon investimit, që e cilësoi më të madhin në rajon.
Sipas Ramës pas përfundimit të portit, Durrësi do të kthehet në një nga destinacionet kryesore turistike të Mesdheut.
“Armiqësia kundër investimit më të madh në rajon, i cili do ta transformojë Durrësin në një ndër destinacionet kryesore turistike të Mesdheut, duhet t’iu shërbejë të gjithë durrsakëve për të parë fytyrën e armiqve të së ardhmes së Durrësit; o me Durrësin në majë o me ata në plehra!” – shkroi Rama në Twitter.
Partia Demokratike dhe ajo e Lirisë, thonë se pas projektit për ndërtimin e portit të ri fshihet një aferë korruptive. Sipas Sali Berishës, në të janë përfshirë që nga Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, ai i Serbisë Aleksandar Vuçiç, por edhe ish-kreu i PD, Lulzim Basha.
“Pasi ka vjedhur 420 milionë euro me firmën e tij për ndërmarrjen e tij të djegësve, vërsulet i tërbuar për të vjedhur 1 milion metër katror tokë në një sipërmarrje, shumë shpejt do e njihni, me dokumente false. 60 për qind të aksionerëve janë Edi Rama dhe Lulzim Brava dhe mafiozët e tyre. Po organizojnë në Durrësin e Shqipërisë vjedhjen më të tmerrshme në histori”, tha Berisha në një konferencë për mediat më 14 nëntor.