Reforma në drejtësi është ‘ylli polar’ në rrugën e të bërit shtet. Kështu është shprehur kryeministri Edi Rama para studentëve të Universitetit të Elbasanit.
Ai tha se janë gjykatat ato që mbajnë një shtet në drejtpeshimin e duhur.
“Prandaj reforma në drejtësi është reforma e reformave, është ylli polar në rrugën tonë për të bërë shtet. Sepse në fund fare të gjitha problematikat dhe kontestimet e natyrshme brenda për brenda marrëdhënieve tona shoqërore apo marrëdhënieve të individëve jo vetëm me njëri-tjetrin, dhe janë gjykatat ato që mbajnë një shtet në drejtpeshimin e duhur dhe i japin mundësi individit që të nxjerrë më të mirën nga vetja, i papenguar nga padrejtësië dhe arbitrariteti që lulëzojnë në mungesë të një drejtësie”, tha Rama.
Hapi i radhës tha Rama është vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve. “Vetingu i prokurorëve dhe gjykatësve, për të ndarë gjykatësit e prokurorët që i kanë të gjitha mundësitë dhe kapacitetet morale, profesionale, qytetare për të shërbyer në funksion të një drejtësie të drejtë, me gjykatës e prokuror që nuk mund të rinë asnjë minutë më tepër në pallatin e drejtësisë shqiptare, po të përgjigjen para ligjit”, tha Rama.
Kjo është e para reformë tha Rama që synon të përmbysë sistemin, pasi deri më sot ka pasur reforma që kanë arnuar sistemin e trashëguar.