Kryesore Rama: Rindërtojmë çdo shtëpi të pabanueshme prej tërmetit

Rama: Rindërtojmë çdo shtëpi të pabanueshme prej tërmetit

Qeveria ka marrë një sërë masash në mbledhjen e kësaj të mërkurë për t’i ardhur në ndihmë të gjitha familjeve të prekura nga tërmeti i 21 Shtatorit. Ndër to më rëndësishmja duket ajo për rindërtimin e të gjitha ndërtesave që për shkak të goditjes sizmike janë të pabanueshme.

Kush i rindërton vetë banesat e dëmtuara do të përjashtohet nga çdo taksë ndërsa do të thjeshtohen të gjitha procedurat për dhënien e lejes për ndërtim, apo rikonstruktim.

Kryeministri thotë se nuk ka një kosto përfundimtare, pasi inventarët vazhdojnë, por deklaron se do të preket fondi emergjencës që llogaritet të jetë në 6 milionë dollarë, ndërsa ndihmë financiare janë ofruar të japin dhe shumë qeveri europiane dhe institucione financiare ndërkombëtare.

Me vendim të këshillit të ministrave, asnjë investitor nuk do mund të pajiset me leje ndërtimi nëse bashkë me kërkesën për pajisjen me të nuk do të depozitoje dhe policën e sigurimit për ndërtimin, qoftë ky pallat, hotel apo qendër biznesi. Nuk përjashton mundësinë që kjo mund të sjelle rritje të kostove të ndërtesave, por sipas kryeministrit rrit sigurinë ndaj fatkeqësive natyrore.

Në vendimet e marra në mbledhjen e qeverise për të parandaluar dëmet nga goditjet sizmike janë dhe audit teknik për godinat mbi 50-vjeçare si dhe zerim i detyrimeve për faturat e OSHEE dhe Ujësjellësit për familjet që kanë pësuar dëmtime në banesat e tyre në 21 Shtator.