Kryesore Porti i Guajakailit në Ekuador përdoret nga mafia shqiptare për kokainën

Porti i Guajakailit në Ekuador përdoret nga mafia shqiptare për kokainën

Sasia prej 137 kilogramë kokainë që u zbulua në Portin e Pireut, e cila u nis nga Porti i Guajakail në Ekuador me destinacion final Portin e Durrësit, nuk është ngarkesa e parë që ndjek këtë rrugë.

Referuar mediave ekuadoriane në nëntor të vitit 2013, në një kontenier u zbuluan 125 kilogramë kokainë dhe destinacioni ishte sërish Porti i Durrësit.

Vetëm një vit vonë nga i njëjti port, policia ekuadoriane sekuestroi 89 kilogramë kokainë që sërish destinacion kishte portin detar me të madh të Shqipërisë.

Operacion tjetër që dëshmon për një linjë të konsoliduar të trafikut të kokainës, ishte ai i vitit 2016, ku u gjetën 101 kg kokainë të fshehura në një kontenier me banane te ngarkuara për në Shqipëri.

617 kilogram drogë u kapën në muajin gusht në Brazil, në pako të mbështjella me logon e klubit të futbollit të Elbasanit, e dyshohet që kishin gjithashtu destinacion Shqipërinë.

Grupet shqiptare të trafikut të drogës tani po i kryejnë vetë operacionet në Amerikën Latine, në veçanti në Ekuador.

Ata janë përplasur disa herë mes tyre në këtë vend. Në vitin 2017 në Guajakail mbeti i vrarë 36-vjeçari Ilir Hidri. Mediat ekuadoriane raportonin për një ekzekutim për pazaret e drogës.

Vetëm disa muaj më vonë sërish në Guajakil, një tjetër atentat ndodhi por kësaj here fatmirësisht pa viktima. Shënjestër ishte një shqiptar nga Kosova, identifikuar si Remzi Azemi. Plagosja e Azemit nxori në dritë dhe një grup të strukturuar kriminal në të cilin bënin pjesë shqiptarë ekuadorianë edhe grekë.

Ekspertet e antitrafiqeve flasin tashme për një linjë të konsoliduar direkte të trafikut të kokainës nga Amerika Latine, linje e cila ka tërhequr edhe vëmendjen e DEA-s amerikane, e cila beri të mundur zbulimin e 137 kilogramëve që u kapën në operacionin e fundit.