Kryesore Rama: Rruga e Arbrit do të hapet më 29 Nëntor

Rama: Rruga e Arbrit do të hapet më 29 Nëntor

Me 29 Nëntor do të hapet Rruga e Arbrit. Lajmin e dha kryeministri Edi Rama në Kuvend. Ai u shpreh se e gjithë rruga është gati përveç një problemi gjeologjik në Qafën e Murrizit. Por kreu i qeverisë tha se ky problem është i mirëdokumentuar dhe se paratë për vonesat nga ky projekt dalin nga privati dhe jo nga buxheti i shtetit.

“Me mendjen tuaj Shqipëria mbeti aty ku ishte, por faktet flasin dhe në 29 Nëntor do të hapet rruga e Arbrit që të kalojnë njerëzit me të vetmin problem që në qafën e Murrizit për shkak të problemit gjeologjik të tunelit që ka krijuar vonesa të mirëdokumentuara, gjithë pjesa tjetër është gati. Ja çfarë bën këtu Lulzim, PPP-ja. Nëse ajo që ndodhi me tunelin e Murrizit, me shfaqjen e një përbërje gjeologjike të papritur dhe do ishe në buxhetin e shtetit do duhej të nxirrej një mal me lekë, siç keni nxjerrë ju dhe siç jemi detyruar që të nxjerrim ne për ato tenderat pa projekte gjeologjike për të shkuar për të bërë foltoren në tunelin e Elbasanit, bashkë me llumin atje. Bashkë me llumin që i thua llum ti atje. Ke qenë ti atje. Ty të nxorri llumi dhe tha ja ku e kemi djalin tonë. Dhe pasi i re daulles atje, u deshën aq sa para për t vazhduar për t’u marrë me rrëshqitjet apo lemeritë e tjera. Apo me Qukës-Qafë Plloçës që e latë me disnivel urash 17 metra sikur donit të bëni trampolinë për të kërcyer llumi lart poshtë. Me PPP nuk kemi punë fare, i themi të doli tuneli me përbërje gjeologjike është tek ti, jo tek ne. E rëndësishme është që me paratë që përndryshe do duheshin vite akoma për t’u bërë të gjitha bashkë dhe për t’u bërë rruga e Arbrit ne do duhet të paguajmë në vite kthimin e investimit për një rrugë që është gati atje. Më 29 Nëntor merr edhe deputeten e Dibrës që u konsultove. Kaloni andej, por kujdes se rrugës ka shumë foltore atje. Mos ngecni rrugës. S’di ça të bëj me ju. Njëri thotë, më bllokoi Edi Rama, por unë e dua Kavajën aq shumë sa nuk ka gjë që nuk ka gjë që më bllokon”, tha Rama.

Në replikë me të, kryedemokrati Basha, pohoi se kosto e kësaj rruge rezulton tre herë më e lartë se projekti, për shkak të hajdutërisë së Qeverisë, sipas tij. “Vendi më i varfër i Europës nuk mund ta vendosë ekonominë e drobitur nga vjedhja për projekte për të cilat fitues të vetëm janë ata që caktoni ju, jo gara. Nga 120 milionë ka shkuar 360 milionë euro, e ti ke kurajën të vish e të na krenohesh këtu pse paguan 3 herë më shumë. Na flet këtu për befasi gjeologjike. Nuk është befasi gjeologjike, është babëzi tipike”, tha Basha.