Kryeministri Edi Rama i ka bërë sfidë të hapur opozitës për zgjedhjet vendore të 30 Qershorit, duke u shprehur se nëse fitojnë një bashki më shumë se PS, atëherë do të ketë zgjedhje të parakohshme.
Në pjesën e dytë të Kongresit të Partisë Socialiste ku Erion Veliaj u rikonfirmua për herë të dytë kandidat për Bashkinë e Tiranës, Rama ftoi opozitën që të përmbyllin me sukses reformën zgjedhore dhe që në këto zgjedhje të eksperimentohen votimi dhe numërimi elektronik.
Kreu i qeverisë ka shkuar më tej, duke u shprehur i gatshëm se do të sanksionojë në Kodin Penal çdo akt të shit-blerjes së votës.
“Ne na vjen turp për ju dhe na vjen keq për të gjitha ata që i braktisët duke refuzuar t’i përfaqësoni në Kuvend. Por në fund të fundit është e drejta juaj t’i tradhëtoni dhe gënjeni ata që gënjyet. Dhe turpin do ta mbani ju. Mbajeni vetë. Vetë e zgjodhët, në rrugë do rrini.
Por një ftesë unë e kam ende për ju. Jeni ju që i keni rrokanisur kokën shqiptarëve dhe miqve ndërkombëtarë për reformën zgjedhore.
Hajdeni, ulemi ta miratojmë së bashku atë reformë, biem dakord t’i eksperimentojmë në disa zona që në Qershor edhe votimin dhe numërimin elektronik, dhe meqë e keni me shumë qejf temën e shitblerjes së votës, jemi gati të miratojmë në Kuvend çdo masë që mund të propozojë znj. Monika Kryemadhi. Pastaj e kalojmë vetë ne në Kuvend me deputetë e rinj.
Nëse ju në zgjedhjet e 30 qershorit fitoni një bashki të vetme më shumë se, ne jemi gati të shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare që në vjeshtë”, sfidoi Edi Rama.