Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të enjte një bashkëbisedim me gazetarët ku në fokus ishte energjia. Kreu i qeverisë bëri një bilanc dhe u shpreh se vendi ka hyrë në një fazë të re sa i përket energjisë.
“Pas 7 vitesh e dy muajsh mund të themi se kemi hyrë në një fazë krejtësisht të re, pasi kemi hapur rrugën e një transformimi rrënjësor që vazhdon”, tha Kryeministri Edi Rama.
Rama u ndal të fliste për vënien në punë të linjës së interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë. Kreu i qeverisë kujtoi edhe paraardhësin e tij, Sali Berisha, sa i përket këtij projekti, ndërsa shtoi se puna u finalizua për shkak të Shengenit rajonal.
“Më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj se jemi në kantier për projektin e linjës e interkonjeksionit Shqipëri-RMV ndërkohë që sapo kemi vënë në punë linjën e interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë. Një projekt i konsideruar me të drejtë historik nga paraardhësi im, por i kthyer në një histori sa të dhimbshme aq dhe qesharake për vite të tëra të qeverisjes së mëparshme dhe më pas i bllokuar për disa vite nga vetoja e Serbisë, të cilën e hoqi as më shumë e as më pak, por Shengeni Rajonal. Ky zhvillim kaq i rëndësishëm mes dy shteteve tona, dhe projekti me RMV janë pjesë e një tërësie ndryshimesh të mëdha që po ndodhin, përfshirë këtu edhe kushtet për themelimin e bursës shqiptare të energjisë, që nisi me ndryshimet ligjore të vitit 2018 dhe pastaj nënshkrimin e marrëveshjes së aksionarëve për themelimin e saj mes operatorëve shqiptarë dhe të Kosovës”, tha Rama.
Një tjetër projekt i rëndësishëm i kësaj qeverie është edhe hidrocentrali i Skavicës, që sipas Ramës do ta kthejë Shqipërinë në një fuqi eksportuese të energjisë.
“Do të krijojë mundësinë për të mos çuar më dëm asnjë pikë ujë dhe do ta kthejë Shqipërinë në një fuqi eksportuese të energjisë dhe do të na japë mundësi të kursejmë në mënyrë të konsiderueshme për shkak të mundësisë për të mbajtur rezerva dhe të mos i drejtohemi tregut për shkak të krizave shkaktuar nga thatësira”.
Aktualisht, sipas kryeministrit është bërë arritje e jashtëzakonshme sa i përket uljeve të humbjes. Sa i përket pagimit të faturave mujore të energjisë, kryeministri tha se “është kthyer në një normë që nuk e diskuton më askush”.