Ekonomi Balluku: Çmimi i energjisë nuk ka lëvizur që prej 2014-s

Balluku: Çmimi i energjisë nuk ka lëvizur që prej 2014-s

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi se çmimi i energjisë nuk ka ndryshuar që prej vitit 2014 kur u vendos 9.5 lekë për KV/orë.

Gjatë një konference ku në fokus ishte energjia, Balluku tha se kjo çështje përdoret për politikë për shkak se është sensitive për familjarët.

“Do doja të ndalesha për një moment tek çmimi i energjisë dhe sigurisht tek konsumatori familjar, i cili është numri më i madh i abonentëve në rrjet dhe që është ai më sensitiv. Kemi dëgjuar shumë ditët e fundit të goditet dhe të përdoret politikisht çmimi, por për informacionin tuaj dhe të gjithë konsumatorëve do desha t’i referoheni kësaj tabele dhe të shikoni se sa ka qenë çmimi energjisë në vitin 2013 për KV/orë dhe nga viti 2014 e deri më sot sesi është çmimi dhe nëse ka lëvizur. Kemi një çmim të palëvizur që nga viti 2014. Nuk ka pasur asnjë rritje sa i përket çmimit të energjisë dhe shpërndarjes së tij tek konsumatori familjar. Nga 13.5 kemi zbritur në 9.5 në vitin 2014. Është një fakt i pakontestueshëm dhe pavarësisht demagogjisë dhe politizimit që i bëhet pikërisht këtij elementi duke qenë një element shumë sensitiv për familjarët unë do desha që ju ta pasqyronit këtë pasi është një fakt i pakontestueshëm”, tha Balluku.