“Përfitoj nga rasti që të nënvizoj se sot ne kemi të gjitha arsyet që të ndjehemi më mirë se sa deri disa vite më parë për situatën e arsimit parauniversitar sepse sot masat dhe reformat e bëra kanë filluar të japin rezultatet e tyre dhe padyshim atmosfera e përgjithshme dhe hapësira në të cilën punojnë të gjithë arsimtarët është ndjeshëm e përmirësuar”.
Kështu e nisi fjalën e tij kryeministri Edi Rama në ceremoninë “Mësuesi i vitit 2022” që u zhvillua këtë të mërkurë. Ai u shpreh se procesi i rekrutimit të mësuesve është tashmë i konsoliduar, kjo për shkak të portalit.
“Portali ka dhënë provën e vazhdueshme të konkurrencës dhe të meritës duke na lehtësuar plotësisht nga barra e ndjenjës së përgjegjësisë dhe të fajit për shkak të padrejtësive të vazhdueshme që ishin kthyer në sistem si rezultat i atij sistemi që e keni njohur nga afër. Flas për ata që e kanë përjetuar këtë ndryshim”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se drejtimi i shkollave është ende një sfidë e hapur.
“Nëse sot kemi garanci që mësuesit janë më shumë se asnjëherë në vitet pas rënies së reagimit në dispozicion të profesionit, nxënësve dhe prindërve dhe të lirë nga zgjedhat e natyrave të ndryshme. Kjo ka bërë që edhe niveli i mësimdhënies të rritet sepse mësimdhënia ka sot aktorë të çliruar nga këto streset e tepërta dhe tërësisht të pavend dhe pa asnjë të drejtë. Drejtimi i shkollave është ende një sfidë e hapur. Nuk kemi në nivelin drejtues të shkollave ende të dhëna të nevojshme për të thënë që siç kemi arritur të garantojmë që sot në Shqipëri janë më të mirët që japin mësim ndër mësuesit, të njëjtën gjë ta themi dhe për drejtimin e shkollave që janë më të mirët që drejtojnë. Kjo nuk është e vërtetë. Jemi investuar në këtë drejtim me shkollën e drejtorëve, me gjithë ato procese që ndiqen nga Ministria e Arsimit për të rritur përgjegjshmërinë dhe cilësinë në drejtim. Në këtë aspekt kanë ndodhur ndryshime të rëndësishme, por jo uniforme”, u shpreh Rama.
Rama theksoi se studentët që do të ndjekin mësuesinë do të përfitojnë një bursë mujore e cila do të jetë në vlerën e pagës minimale. Rama u shpreh se qeveria po rrit stimulin për të hyrë në rrugën e mësuesisë.
“Ajo që ne po bëjmë së fundmi është që të rrisim edhe më shumë stimulin për të hyrë në rrugën e mësuesisë. Ju kujtohet shumë mirë që deri para disa vitesh në rrugën e mësuesisë hynin ata që ishin në pamundësi për të marrë çdo lloj dege tjetër. Pra më të dobëtit përfundonin në rrugën e mësuesisë që hajd më të shkojmë, ose hajd ta çojmë fëmijën të marrë një shkollë, një diplomë. Këta pastaj prezumohet që ktheheshin në mësues. Ne që në fillim rritëm shkallën e kërkesës për ata që hynë në shkollën e mësuesisë ndërsa aktualisht që flasim, shkollën e mësuesisë e kemi kthyer një ndër programet që janë prioritet kombëtar. Studentët që do të ndjekin mësuesinë do të përfitojnë një bursë mujore që do të jetë në vlerën e pagës minimale. Pra që në momentin e hyrjes në shkollës, deri në përfundim të shkollës së mësuesisë, përveçse kriteri i një note mesatare të rëndësishme do të jetë në fuqi, do të marrin edhe pagën e përmuajshme deri në përfundim të shkollës, sepse do të marrin përsipër pas shkollës diçka që është gjëja më e rëndësishme dhe është gjëja më e shtrenjtë që janë fëmijët”, u shpreh Rama.