Kryeministri Edi Rama ka sulmuar kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri, gjatë një takimi që zhvilloi me banorët në këtë qytet.
Teksa kujtoi investimet dhe punën e bërë nga socialistët në Himarë, Rama u drejtua me gjuhë të ashpër ndaj kandidatit të opozitës për këtë bashki, të cilin e quaji diversant.
“Kur ne morën detyrën gjithçka ishte jo vetëm siç kishte qenë por kudo ku ishte vënë dorë, ishte prishur, ishte shëmtuar dhe mbi të gjitha ku pronat se supozohej që do t’i ktheheshin të zotit, kishin hyrë në një labirinth pa krye që i kishte nxjerrë në çdo cep pseudopronarë njerëz të ardhur këtu me fuqinë e pushtetit në Tiranë dhe të falsifikimeve të pafundme që kaq shumë e kanë mërzitur këtë popull këtu. Edhe këtu ku jemi ne, kjo vija bregdetare këtu, nuk ekzistonte në atë kohë. Kur vija këtu që kaloja me punët që më sillnin këtej ulesha dhe bisedoja dhe gjithmonë thosha po Himarën pse e bënë si Bathore? Sepse realisht ishte një tmerr. Sot besoj që të gjithë biem dakord që ne kemi bërë për Himarën atë që s’është bërë kurrën e kurrës.
Nëpërmjet një maske që kanë vënë këtu dhe del nëpër rrugë e shet broçkulla që është edhe një kokërr injoranti dhe është një diversionist i pashoq që flet sikur bën politikë të madhe, ai nuk përfaqëson absolutisht asgjë përveç vullnetit të një grushti njerëzish këtu”.
Pa akuzuar nuk ka la as koalicionin opozitar “Bashkë Fitojmë”.
“Është koalicioni më i shëmtuar i karavidheve. Kurrë karavidhet nuk kanë arritur të bëjnë atë lloj koalicioni. Bashkë Fitojmë me Like floririn dhe me Saliken se është dhe ai gërdalla tjetër që vjen vërdallë. E pastaj ç’a do kërkojnë himariotët më nga unë pastaj? Do kërkojnë investime? Me kë? Me këtë sqeparin këtu që ka ardhur ju kërkon vota juve? Ai është analfabet në greqisht se në shqip është dru. Po ja them këto fjalë sepse jam shumë i acaruar me diversionet që bën lart e poshtë medemek lidhjet që ka në Greqi. Po qe për Greqi i kam vet, po qe për lidhjet në Turqi i kam vetë dhe askush këtu nuk i përfaqëson më mirë ato lidhje, pavarësisht se unë s’di të flas greqisht. I them të tërëve realisht se këtu në Himarë nuk janë ndarë njerëzit as kur në Tiranë ishte një mbret. E dini mirë ju historinë. Himara është një dhe mos lejoni në asnjë mënyrë dhe madje ata që ndjehen të djathtë medemek këtu, se himariotët s’janë të majtë e të djathtë, duhet të pyesin veten pse më budallain do votojnë ata? Ku e gjetën këtë gdhënë që vënë këtu? Më gdhënë. Në greqisht analfabet në shqip dru”, tha Rama për kandidatin e opozitës Fredi Beleri.
Kryeministri Rama foli edhe për zgjidhjen e problemit të pronave në këtë zonë.
Çështja e pronës ka marrë drejtim, tha Kryeministri, e një pjesë e rasteve janë zgjidhur.
E duke folur për këtë temë, Rama nuk la pa sulmuar sërish kandidatin e koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” Fredi Beleri.
“Historia e pronave ka marrë drejtimin e himariotëve, të gjithëve. Dhe ky topi ishte në një grup pune gjoja dhe ju thoshte atyre se kemi folur me gjithë komunitetin e himariotëve që janë me prejardhje dhe që janë pjesë e komunitetit grek në Amerikë, kemi folur me ta, dhe ju thoshte po u zgjidh historia e pronave ne nuk e fitojmë më bashkinë, domethënë ky. Nuk e do ky historinë e zgjidhjes së pronave. Ndërkoha është zgjidhur, ka ligjin, ka rregullat. Ka plot që s’i kanë marrë akoma. Por ju them një gjë. Një garanci keni nëqoftëse s’doni t’ju ikin pronat për lesh. Mua, PS dhe këtë këtu. Se nuk ja u solla unë njerëzit nga fundi i botës dhe dalin pronarë, që dalin me letra dhe e kanë parë Himarën për herë të parë kur morën pushtetin në Tiranë. E dini mirë ju kush janë e si janë. Nuk jeni më njerëz pa njerëz që vijnë ja u marrin nga Tirana si të duan”, u shpreh Rama