Kryeministri Edi Rama ka hedhur sot akuza të tjera kundrejt opozitës në lidhje me deklaratat e saj se kreu i qeverisë është angazhuar personalisht për ta dëmtuar duke paguar ish-agjentin e FBI, McGonigal.
Sipas Ramës, gënjeshtrat e artikuluara nga opozita janë tepër të mëdha dhe vetëm tregojnë mungesën e ideve.
“Kurrë më e mjerë, më e degraduar, më e shfytyruar dhe çekuilibruar s’është shfaqur ndonjëherë politika opozitare me altoparlantët e saj; kurrë boshllëku i ideve, kapsllëku i komunikimit, sasia e gënjeshtrave dhe budallallëqeve të lëshuara në ajër nuk kanë qenë kaq të qametshme!
Asnjëherë asnjë opozitë e asnjë kohe deri sot nuk e ka ndotur kaq keq mjedisin publik, ashtu e shtrirë në tërë kanalet e komunikimit me gjuhën jashtë dhe me trupin që përpëlitet nga fabrikimi non stop i pisllëqeve më ekstreme! Kjo është pasoja e puthjes fatale me një të vdekur”, shkruan Rama.