Kryeministri Edi Rama u takua me përfaqësuesit më të lartë të klerit në vendin tonë pas konfirmimit të dy rasteve të para me koronavirus. Kreu i qeverisë tha para tyre se nuk bëhet fjalë për të mbyllur kisha dhe xhami, por ai bëri thirrje që të sensibilizohen besimtarët.
“Janë disa nivele edhe kjo e më të moshuarve që janë një pjesë e konsiderueshme që vijnë në kisha dhe xhami është mirë që të dekurajohen dhe të qëndrojnë në shtëpi për të mos pasur kontakte sepse janë vulnerabël. Kjo është një sëmundje që kap njerëzit e moshuar ose ata me sëmundje kronike”, tha Rama.
Kreu i qeverisë deklaroi se koronavirusi është i panjohur, por ka një vdekshmëri të ulët në raport viruset e tjera.
“Frika është gjëja e gabuar, por duhet kujdes pa rënë në pesimizëm se çfarë do të ndodhë. Gjëja më e thjeshtë më e bukur më e saktë që mund të lexosh nga ata që mund të mësosh për epideminë është fjala e profetit që thotë mos shkoni atje ku ka epidemi se epidemia vjen aty ku jeni. Është thelbi dhe realisht që gjëja që njerëzit duhet të bëjnë që kush ka ardhur nga një zonë e prekur duhet të vetëkarantinohen. Kush ka shenja nuk është nevoja të alarmohet se nuk është e thënë që ka korona”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se shkollat e mbyllën për të parandaluar transmetimin e virusit tek të tjerët në rast se do të kishim raste të fëmijëve që janë bartës të COVID-19.
“Nuk duhet kaluar fare në këto, jeta duhet jetuar normalisht, por me ca kujdese, me ca kufizime, duke shmangur kontaktet që na ndihmojnë duke ruajtur shëndetin tonë dhe të tjerëve”, tha Rama.
Ndërkohë kryetari i Komunitetit Shqiptar Mysliman, Bujar Spahiu, tha se edhe publiku dhe besimtarët do të jenë mirëkuptues në këto çështje të rëndësishme.
“Synimi është i përbashkët për ne që sa më shumë të parandalohet kjo. Është mëse e dukshme dhe e njohur. shpresojmë që edhe në lutjet tona që të mos ngjitet më shumë. Mendoj se publiku në tërësi do të jenë më mirëkuptues në disa çështje”, tha Spahiu.
Në fund të takimit kryeministri nuk iu ka dhënë dorën asnjërit prej klerikëve si mesazh sensibilizimi.
“Nuk duhet të prekeni se jepni shembullin e gabuar. Mos t’i japim dorën njeri-tjetrit, faleminderit shumë”, përfundoi Rama.