Kryeministri Edi Rama në një takim me fermerët në Elbasan ka thënë se janë 3 prodhues të mëdhenj energjie të cilët kanë marrë fitime marramendëse sepse energjia është shtrenjtuar në stratosferë. Për këtë arsye tha se do të vendoset një taksë ndaj tyre e cila do të quhet taksa e fatit.
“Janë tre prodhues të mëdhenj energjie në Shqipëri dhe këtu nuk flasim për prodhuesit e vegjël, flasim për tre prodhues të mëdhenj të cilët kanë marrë fitime marramendëse, jo se kanë bërë ndonjë investim plus por sepse i ka ardhur nga fati, fatkeqësia e te tjerëve ka qenë fati i tyre dhe energjia është shtrenjtuar në stratosferë, ata e shesin dhe fitojnë shumëfish. Ajo që do bëjmë ne do vëmë një taksë të jashtëzakonshme, taksën e fatit.
Të erdhi fati po, ti mbaj fitimin tënd, pjesën tjetër do na i japësh ne sepse me atë pjesë do vazhdojmë ne t’i mbështesim edhe pensionistët edhe ata që janë më shumë në nevojë. Çfarë ka këtu për çudit Dhe më e bukura është se këtë nuk e kemi shpikur ne, këtë e keni të shkruar në direktivën e BE-së në këtë kohë lufte dhe janë vendet njëra pas tjetrës që po vendosin.
Ne jemi në dialog me ato kompani, ua kemi bërë të qartë që këtu nuk vazhdon kjo punë kështu, që ata duhet të paguajnë. Dalin këta, po nuk kanë faj, sepse flasin këta për ne, po e dini ju që këta, ai non grata i ka falur hidrocentrale për një copë bukë prodhuesve të mëdhenj. Jo një, katër hidrocentrale”, është shprehur Rama.
Rama foli edhe për akuzat e opozitës për inceneratorët.
“Ne na diskutojnë këta ul e ngri incenerator, incenerator, incenerator. Po pse do ta linim Elbasanin ashtu siç ishte? Kush ka bërë dëm të shkojë në punë të vetë, por ama vepra është aty dhe sot është pronë e Bashkisë së Elbasanit dhe garanton atë që Elbasani e kërkoi me dekada. Kjo është situata e përgjithshme miqtë e mi”, u shpreh ai.
Sa i takon krizës energjetike tha se: “Ne jemi këtu për të thënë që e dimë shumë mirë se sa shumë nevojë ka sot që të jemi bashkë dhe të jemi bashkë realisht bërë gjithsecili pjesën e vet. Ne do bëjmë pjesën tonë deri në fund. Do bëjmë deri në fund gjithçka që mundemi. Ashtu siç bënë edhe në fund të Shtatorit, ku nuk e vumë atë fashën 800 KWH pavarësisht se ajo nuk prek pjesën më të madhe pikërisht sepse pamë një mundësi. Pati reshje, jo aq sa duhet, por pati, kanë filluar njerëzit të kursejnë energjinë edhe u krijua mundësia edhe thamë jo, e shtymë për në Nëntor. Tani jemi duke parë çdo ditë të dy këto komponentë. Sa kemi në këto hidrocentrale ujë, sa kursim ka se duhet kursyer energjia që ta kemi, ky është fakt. Që të kemi çdo mundësi sado të vogël që menjëherë ta kalojmë tek njerëzit, menjëherë të lehtësojmë dikë. Nuk më zë gjumi për ata që janë në vështirësi dhe bëjmë çmos çdo ditë, nuk jemi makineri të përsosura, por bëjmë çmos se si ta lehtësojmë këtë situatë, që është një situatë e përgjithshme botërore”.