Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot se dozat e premtuara nga Pfizer do të vijnë të hënën. Nga një takim në Korçë ku zhvilloi një bashkëbisedim me qytetarët, Rama tha se nga kontaktet e fundit që qeveria ka pasur me kompaninë Pfizer, të hënën do të vijnë dozat e para të vaksinave.
Kreu i qeverisë u shpreh se nuk do të jenë 10 mijë doza siç ka qenë në kontratë, por më pak për shkak se kompania ka frenuar prodhimin e vaksinave.
“Për sa i përket vaksinës ju po ndiqni se çfarë po ndodh në Evropë, por furnizimin me kushtet e vendosura më parë. Kompania Pfizer ka bërë një frenim të prodhimit, pasi i duhet pak kohë që të rrisë kapacitetet e prodhimit, pasi raporti i kërkesës me prodhimin dihet që nuk është i njëjtë. Mua më vjen mirë që ia kemi dalë të dalim nga rrethimi, pasi u lamë jashtë skemës së Bashkimit Evropian për vaksinimit.
Tani kemi një marrëveshje me Pfizer. Kemi një kontratë me Pfizer për 500 mijë doza. Do duhej të kishin ardhur 10 mijë doza në fund të Janarit, por për shkak se është bllokuar prodhimi dhe ne jemi prekur nga kjo gjë. Por kemi marrë premtimin që furnizimi do të fillojë ditën e hënë. Do të fillojë me një sasi më të vogël se ajo e premtuara, por sasitë do të rriten shpejt”, u shpreh Rama.
Më tej numri një i qeverisë tha se po punohet dhe me kompanitë e tjera për të siguruar doza dhe prej tyre dhe theksoi se arritja e një marrëveshje është shumë e vështirë pasi ka shumë intriga. Po ashtu ai foli sërish dhe për rastin e sanitares të denoncuar nga emisioni “Stop”, duke thënë se rastet e izoluara nuk mund të rrezikojë mundin kolosal të mjekëve.
“Ka dhe raste të neveritshme, siç është ai rasti i sanitares tek “Shefqet Ndroqi”, por ka dhe raste te tjera. Por dhe 10 a më shumë te jenë nuk mund të rrezikojë mundin kolosal të mjekëve. Kështu që mirënjohje dhe respekt për këtë”, shtoi Rama.