Aktualitet Shërbim me një ndalesë për fermerët shqiptarë, çfarë përfitojnë nga projekti 3.5...

Shërbim me një ndalesë për fermerët shqiptarë, çfarë përfitojnë nga projekti 3.5 milion euro

Në Lushnjë është krijuar një qendër agro-biznesi për t’iu ardhur në ndihmë fermerëve shqiptarë të marrin shërbime në një sportel të vetëm, pas asnjë kosto. Projekti është financuar nga qeveria japoneze me një kosto 3.5 mln euro. Kjo qendër-sportel do të ndihmojë në shpërndarjen e informacionit të dobishëm për fermerët, mbi tema të ndryshme dhe do të sigurojë një mundësi për qasje në mjetet thelbësore për lehtësimin e aktiviteteve ekonomike të pronarëve të vegjël.

Ministria e Financave dhe të Ekonomisë në bashkëpunim me Agjencinë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) po mbështesin rritjen e shkallës së përfshirjes financiare në Shqipëri, nëpërmjet zbatimit të Projektit të Bashkëpunimit Teknik, “Projekti i Përfshirjes Financiare për Fermat e Vogla Familjare”.

Objektivi kryesor i Projektit është të përmirësojë përfshirjen financiare të fermave të vogla familjare në Shqipëri nëpërmjet zhvillimit të produkteve dhe shërbimeve financiare dhe jo-financiare që i përgjigjen dhe përshtaten me fleksibilitet nevojave të fermerëve. Kjo po arrihet nëpërmjet forcimit të kapaciteteve të Shoqërisë së Kursim Kredisë, FED invest, e cila i ofron këto shërbime financiare në zonat rurale të vendit.

Projekti mbështet ofrimin e shërbimeve jo-financiare nëpërmjet themelimit të Qendrës ABA. Qendra ABA është e projektuar të shërbejë si një pikë ndërlidhëse kyçe informacioni, njohurish & zhvillimi të kapaciteteve, aksesi në treg, për të përmbushur nevojat e çdo fermeri shqiptar për zhvillimin e biznesit të tyre dhe ndërtimin e kapaciteteve financiare.

Pritet që qendra gjithashtu të shërbejë si një Qendër për vendosjen e kontakteve dhe ndërtimin e rrjetit të marrëdhënieve mes aktorëve të zinxhirit të vlerës, e cila ndihmon në përmirësimin e mundësive të biznesit për fermerët me anë të shërbimeve të personalizuara jo-financiare në çdo hap të rritjes së biznesit të tyre dhe pa asnjë kosto.

Në ceremoninë e lançimit zyrtar të Qendrës ABA, në Lushnjë morën pjesë Zv. ministri i Financave dhe i Ekonomisë, Besart Kadia, Ambasadori i Japonisë ne Shqipëri, përfaqësues i Zyrës së JICA për Ballkanin, Takeichi Hirashima. Drejtori i Përgjithshëm i FED, Perlat Sulaj, Drejtori i Biznesit në Fed Invest, Behar Gjoni si dhe përfaqësues të tjerë linjës. Ceremonia u mbajt nën masat strikte të respektimit të protokolleve të përcaktuara antiCOVID 19.

Zv.ministri Kadia gjatë fjalës së tij vuri në dukje, bashkëpunimin e hershëm mes Qeverisë Shqiptare dhe asaj Japoneze, ndërsa theksoi se ndër vite, është ndjerë bashkëpunimi ekonomik me Qeverinë Japoneze nëpërmjet ndihmave dhe kredive, granteve dhe bashkëpunimit teknik, ku prioritar në fokus të mbështetjes ka qenë sektori i bujqësisë. Ndërsa Drejtor i Biznesit në Fed Invest, Behar Gjoni theksoi se ky është një tjetër investimi ri në shërbim dhe në mbështetje të drejtpërdrejtë për fermerët dhe zhvillimin rural në Shqipëri. FED invest është institucioni i parë, pioner në mikrofinancë, që u themelua në Shqipëri në vitin 1992. Përgjatë 28 viteve përvojë, FED invest ka patur ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin socialo-ekonomik në Shqipëri.