Politika Rama, thirrje Bashës: Të bashkojmë forcat për të mbrojtur çdo jetë shqiptari

Rama, thirrje Bashës: Të bashkojmë forcat për të mbrojtur çdo jetë shqiptari

Kryeministri Edi Rama i shtriu dorën opozitës për të bashkuar forcat dhe burimet njerëzore në betejën kundër COVID 19.

Në një komunikim në Facebook, Rama tha se qëndrimi i deritanishëm i opozitës nuk ka qenë i duhuri, por nuk është vonë për të bërë kthesë.

Rama i kërkoi Bashës, që mazhoranca dhe opozita t’i flasin me një zë popullit për të mbrojtur së pari jetën e çdo shqiptari, por edhe për të mbështetur familjet dhe bizneset e goditura nga pandemia.

Edi Rama: I kam kërkuar kryetarit të opozitës të bashkojë forcat me mua dhe të bashkojmë ekspertët që kemi në dispozicion qoftë për të fituar aty ku është vija e zjarrit për jetën e njerëzve, qoftë për të rezistuar sa më mirë në vijën e mbrojtjes ekonomike të individëve dhe familjeve më të prekura. Përgjigjen e keni dëgjuar të gjithë në vazhdimësi, akuza për punën heroike që po bëhet në vijën e  zjarrit dhe receta me iluzione për mbështetjen ekonomike. Nuk po qafem dhe nuk dua të fajësoj askënd, jam thjesht i keqardhur që në vend të bashkimit në këtë luftë ku pushteti që duhet mbrojtur është vetëm jeta e çdo njeriu dhe partia që duhet të fitojë ëhstë vetëm Shqipëria nuk janë ulur armët e luftës së vobektë për pushtetin e radhës dhe nuk janë prishur radhët e partive as në emër të jetës së njerëzve dhe as në emër të atdheut që duhet ta kapërcejmë me çdo kusht këtë luftë historike.

Megjithatë kurrë nuk është vonë dhe thirrja ime për opozitën dhe drejtuesin e saj është që le ti bashkojmë pa humbur kohë forcat, le ti diskutojmë pa nguruar hapat në dyja frontet, le ti ballafaqojmë në distancë sociale patjetër vendimet që marrim dhe cilësinë e ekzekutimit të tyre patjetër. Le ti flasim popullit me një zë për të mbrojtur çdo jetë shqiptari deri në fund që nga Shkodra ku disa e kujtojnë COVID komunist që duhet përqeshur deri në Vlorë ku disa të tjerë e kujtojnë COVID si opozita që mundet me të qeshur. Le të bëhemi njëherë thjesht shqiptarë. Unë uroj që ky apel i sinqertë të mos bjerë në vesh të shurdhër që është shumë delikat në këtë luftë që sapo kemi kaluar mesin e tunelit dhe vetëm një fije e hollë na ndan nga ecja përpara drejt daljes ose ecja prapakthehu mbrapsht.