Kryeministri Rama publikoi një video mesazh në orën 13:00, atëherë kur hyri në fuqi edhe izolimi total, deri të hënën në orën 05:00.
Rama u shpreh se deri të hënën askush nuk do të dalë nga shtëpia, ndërsa prej të hënës, orari i lëvizjes dhe i punës së administratës do të jetë 05:00 deri në orën 13:00.
Kryeministri theksoi se, tashmë, nuk do të tolerohet askush. Shkelësit do të futen në një listë të zezë, tha ai, dhe ndaj tyre do të ketë disa penalitete, përfshirë edhe pensionistët.
“Orari i ri do të qëndrojë përgjatë gjithë javës së vjen. Administrata do të punojë po njësoj. Dyqanet farmacitë, bankat do të shërbejnë brenda kësaj fashe orare. Nga ora 1 e drekës deri në 5 të mëngjesit vendi dot të jetë shtëpi e mbyllur.
Ecja me të tjerë nëpër lagje apo rrugë nuk do të tolerohet më paqësisht dhe nuk do të mjaftojë me gjoba dhe këshilla. Policia do të mbikëqyrin çdo lagje në Tiranë dhe Durrës ku kemi dhe zonën më të kuqe në të gjithë vendin duke fotografuar dhe futur në një listë të zezë tradhtarësh çdo individ që dalin për diell apo që luajnë domino. Këta individë do ta paguajnë shtrenjtë. Çdo thyerje e ligjit të luftës do të jetë një barrë e madhe për ta sepse do t’u hiqet ndihma financiare.
Të gjitha forcat e rendit, nga polici i lagjes janë të vendosura të përdorin forcën dhe të gjitha mjetet që përdoren në rast të shkeljes së ligjit në tubime të paligjshme, deri tek uji apo gazi lotsjellës po të jetë nevoja. E mbështes këtë vendim të policisë së shtetit dhe jam i bindur”, tha Rama.