Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar turp për Bashkimin Evropian faktin se ende Kosova ka mbetur pa liberalizim të vizave dhe shteti i vetëm në rajon që nuk lëviz lirë në vendet e unionit.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin e Kosovës Avdullah Hotin, Rama e cilësoi situatën aktuale të Kosovës “peng të kalkulimeve politikave të brendshme të Evropës”.
“Turp i Bashkimit Evropian që mban peng një popull dhe ende e ndalon të lëvizë lirisht si gjithë të tjerët pasi si shtet i ka plotësuar të gjitha detyrimet, e dimë shumë mirë arsyen se përse, arsyeja nuk gjendet në Kosovë, nuk gjendet në ndonjë paaftësi të saj për përmbushjen e detyrimeve, ato janë përmbushur, arsyeja është në Evropë, në politikën e brendshme, në vendet e ndryshme që gjithmonë e më shumë kur marrin vendime për ne nisen nga kalkulimet për qëndrueshmërinë elektorale të forcave politike që qeverisin. Ky nuk është as një sekret dhe as një turp në vetvete, por turpi është se sot Kosova nuk lëviz e lirë jo për faj të saj, por të refuzimit që i bëhet nga BE-ja,” – tha Rama.
Gjatë fjalës së tij kryeministri i Shqipërisë tha se kishte diskutuar me homologun e tij Hoti për disa marrëveshje mes dy vendeve, ndërsa theksoi se i kishte folur atij edhe për idenë e tij për shengen ballkanik, nismë që sipas tij “hap përfundimisht mundësinë për heqjen e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës”.