Kryeministri Edi Rama ka nisur një tjetër përballje me mediat italiane, kësaj radhe pas intervistës që dha për “La Repubblica”, ku shprehej se kampi i emigrantëve në Gjadër nuk është hapur akoma për shkak të burokracive italiane.
Por këtë deklaratë të tij, portali italian “open.online” e ka pasqyruar me titull “Rama ndryshon mendje për emigrantët, kampi nuk do të funksionojë”.
Pikërisht kjo ka nxitur reagimin e Kryeministrit shqiptar, i cili thotë se nuk e ka bërë këtë deklarim dhe se pohimet e tij transformohen për shkak të betejës politike në Itali.
“Nuk ndryshova mendje. Nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të përfundoja përsëri në kënetën e betejës politike italiane me fjalë që nuk i thashë kurrë”.
Kryeministri Rama ka mbrojtur përsëri marrëveshjen e bërë mes tij dhe Kryeministres Meloni.
“Nëse do të kthehesha 100 herë pas, do ta bëja marrëveshjen për emigrantët me Italinë dhe me asnjë shtet tjetër. E kam thënë gjithmonë, është një gjë e re që do të duhet të përballet me provën e realitetit”.
Kryeministri Edi Rama në një intervistë të dhënë për gazetën italiane ‘La Repubblica’, në lidhje me shtyrjen e hapjes së qendrave është shprehur se kjo i përket shtetit italian. Megjithatë ai tha se për pak muaj ato do të jenë gati, po u shpreh skeptik për funksionimin efikas të tyre.