Kryeministri Edi Rama përmes një videomesazhi në Facebook ka uruar komunitetin mysliman për fillimin e muajit të Ramazanit. Kryeministri ka marrë shkas nga kjo datë e shënuar për të falënderuar të gjithë komunitetet fetare që, me radhë, kanë sakrifikuar ceremonitë tyre dhe “me vetëdije të lartë për mos t’iu shmangur zinxhirit të masave parandaluese, kanë mbajtur të mbyllur tempujt”.
Gjatë urimit të tij, Rama solli në vëmendje hadithe dhe citime të profetit Muhamed, ndërsa bëri thirrje për një iftar sa më të thjeshtuar këtë vit duke pasur parasysh situatën.
“Sa më i thjeshtuar solemniteti i iftarit këtë vit aq më e pranuar lutja e akshamit. Sa më të heshtura hapat drejt xhamisë, aq më kuptues zëri i ezanit”, tha Rama.
Duke cituar ish-presidentin amerikan Lincoln, që thoshte se “ilaçi më i mirë për njeriun është agjërimi”, kryeministri shigjetoi edhe ata që sipas tij ankohen se shqiptarët po vdesin për bukë.
“Në këtë kohë të vështirë, agjërimi do të lehtësonte gjuhëçartjen e atyre që ankohen deri se populli po vdes për bukë në Facebook. Në realitet shqiptari nuk ka vdekur dhe nuk vdes bukë për 1001 e arsye por arsyeja pse e solla bukën lidhet me mirësinë shpirtërore dhe mendore që sjell agjërimi tek besimtarët myslimanë, me pastrimin trupor dhe lehtësimin e të menduarit”, tha Rama.