Nga Mallakastra, Kryeministri i vendit Edi Rama ka hedhur akuza ndaj Partisë Demokratike. Teksa ka sjellur në vëmendje financimin me para ruse të kësaj force politike, Kryeministri Rama ka theksuar se “PD është një vegël e Kremlinit” dhe sipas tij “PD-ja po bën atë që kërkon lufta e Putin që të ngrihen njerëzit e të thonë që nuk ka luftë”.
“Ne për fat të keq, një vegël të Kremlinit e kemi të ulur këmbëkryq në Tiranë, Partinë Demokratike, atë të non-gratës. Imagjinoni, vegël këtej, vegël andej, lloj-lloj spiunësh e të pabesësh dhe kërkojnë atë që kërkon lufta e Putin, që të ngrihen njerëzit të rrëzojnë qeveritë e tyre duke thënë se s’ka luftë. Është Putinflacion”.
Kryeministri Rama nuk është ndalur me akuzat ndaj opozitës teksa ka shtuar se “kemi fatkeqësinë të kemi një çorbë ruse e një bashkim të një të keqeje të madhe”.
“Ne kemi fatkeqësinë që kemi një çorbë ruse, një bashkim të një të keqeje të madhe. Ju kujtohet kur më thoshit mua ‘çfarë ke që i thua Lulit ndahu nga ata?’. Luli iku, por ato të 2 dolën prapë. Pse ju shkohet pas atyre? Do të na afrojnë me Amerikën ata? Ata që i kishin ulur pantallonat deri në fund para të huajve? Vitet e fundit atyre nuk i vinte njeri as për vizitë”.