Politika Protesta e 12 nëntorit, Berisha: Në orën 16:00 duhet të mblidhemi bashkë...

Protesta e 12 nëntorit, Berisha: Në orën 16:00 duhet të mblidhemi bashkë kundër Edi Ramës

Sali Berisha është shfaqur këtë të shtunë në komunikimin virtual me mbështetësit e djathtë në Facebook. Berisha ka zyrtarizuar orën 16:00 për protestën e 12 nëntorit, protestë e cila sipas tij ka për qëllim luftën ndaj kundërshtarit të tij politik.

“Ndaj dhe unë zgjodha të bisedoj me ju së pari për agjendën tonë, e cila konsiston në protestën e fuqishme të orës 16:00 të datës 12 nëntor. Në të cilën pjesëmarrja juaj, e mbarë qytetarëve shqiptarë, është një kusht jashtëzakonisht i rëndësishëm për triumfin e opozitës ndaj këtij regjimi.

Por shoqërisë shqiptare, ndaj këtij regjimi që mediat më të madha në botë e konsiderojnë shtet të falimentuar, në të vërtetë ky është një regjim monist i njëjtë me atë të Vietnamit, madje diktatura komuniste atje ka një performancë më të mirë ligjore se narkoshteti i Edi Ramës. Data 12 nëntor, ora 16:00 është ora e shqiptarëve. Ndaj dhe ju ftoj të gjithë të bashkohemi në protestën më të fuqishme që ka njohur vendi ndonjë herë”.

Berisha deklaroi se kryeministri Edi Rama “e ka shndërruar sistemin e votimit në një sistem fiktiv njëlloj si në diktatura” dhe, sipas Berishës, “ky është shkaku kryesor dhe më themelor pse shqiptarët mbushin gomonet në aventurën e tmerrshme në kanalin e La Manshit”.

“Në Shqipëri, problematikat shtohen çdo ditë, varfërimit dhe mjerimit të shqiptarëve u shtohet cinizmi i këtyre qeveritarëve me në krye Edi Ramën, i cili në këto momente kur jemi kthyer në kombin e gomoneve, është kryeministri më i kushtueshëm në botë. Shpenzon 22 milionë euro për 137 fluturime me çarter dhe si skuth si përgjigje ndaj këtij akti ka vetëm mashtrimin. Ai u deklaron shqiptarëve se udhëtimi i tij me çarter kushton sa gjysma e një bilete avioni me biznes-klas. Ai ka paturpësinë t’u thotë shqiptarëve çdo gjë dhe të bëjë me ta, çdo gjë. Një fjalë e mençur thotë se kur nuk ke turp, thua dhe bën gjithçka. Në fakt sot kjo ndodh me Edi Ramën dhe qeveritarët e tij”, deklaroi Berisha.

“Edi Rama është një armik i egër i lirive të shqiptarëve. Ai e ka shndërruar sistemin e votimit në një sistem fiktiv njëlloj si në diktatura. Ky është shkaku kryesor dhe më themelor pse shqiptarët mbushin gomonet në aventurën e tmerrshme në kanalin e La Manshit. Shqiptarët janë rrokullisur sot të fundit për pagesat, për rrogat, për pensionet, për ndihmën ekonomike”, shtoi Berisha.