Politika Rama vizitë disa ditore në Britaninë e Madhe, do të takohet me...

Rama vizitë disa ditore në Britaninë e Madhe, do të takohet me Rishi Sunak

Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një vizitë disa ditore në Britaninë e Madhe. Klan News raporton se kreu i qeverisë do të niset nesër drejt Londrës. Ai do të takohet me homologun e tij britanik, Rishi Sunak.

Sipas të njëjtave burime mes tyre do të bisedohet edhe për marrëveshjen e emigrantëve. Nga zyra për shtyp e kryeministrit nuk ka ende një njoftim zyrtar për vizitën. Kujtojmë që disa muaj më parë, Rama dhe Sunak nënshkruan një deklaratë të përbashkët.

Ata u zotuan që të dyja vendet të rrisin bashkëpunimin mes tyre me synim dhënien fund të dyndjes së emigrantëve ilegalë shqiptarë drejt brigjeve të Britanisë së Madhe. Po ashtu, u vendos që Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar të ngrenë një Task Forcë të Përbashkët në nivel të Ministrisë së Brendshme/Zyra e Brendshme me qëllim forcimin më tej të bashkëpunimit operacional për zbatimin e ligjit.

Marrëveshja mes dy kryeministrave parashikonte gjithashtu edhe bashkëpunimin për rritjen e investimeve britanike në vendin tonë kryesisht në fushën e energjisë, turizmit dhe infrastrukturës me synim nxitjen e zhvillimit social-ekonomik të vendit tonë.

Një tjetër pikë e kësaj marrëveshje kishte të bënte edhe bashkëpunimin në fusha si rinia, kultura, arsimi.