Ekonomi Rama: Zero taksa për 77% të bizneseve në vend

Rama: Zero taksa për 77% të bizneseve në vend

Kryeministri, Edi Rama gjatë një deklarate për mediat krah ministres së Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj dhe ministrit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj ka folur mbi vendimin e qeverisë për të lehtësuar barrën fiskale për biznesin e vogël.

Rama tha se do të ketë zero tatim fitimi për biznesin që ka xhiro vjetore deri në 14 milionë lekë të reja, ndërsa për bizneset deri në 10 milionë lekë xhiro vjetore do të hiqet dhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).

“Sot kemi kaluar me mbështetjen e shumicës parlamentare në Kuvend një masë shumë agresive mbështetjeje. Një masë e cila është unikale në rajonin tonë dhe përkon me zotimin tonë për ta mbështetur fuqimisht çdo kënd që krijon punë për veten dhe familje dhe krijon punë dhe për të tërë dhe që bëhet pjesë e komunitetit të biznesit të vogël”, u shpreh Rama.

“Sot me vendim të Kuvendit të Shqipërisë, qysh në muajin korrik bizneset e vogla të cilat kryejnë një xhiro deri në 14 milionë lekë të reja nuk paguajnë asnjë tatim fitimi, zero. Ndërsa edhe më tutje, bizneset e vogla që kryejnë një xhiro deri në 10 milionë lekë të reja nuk paguajnë as TVSH”, shtoi kreu i qeverisë.

Nga kjo skemë e re për biznesin e vogël, kryeministri tha se heqje të tatim fitimi do të përfitojnë 14% e bizneseve në vend, ndërsa heqje të tatim fitimit bashkë me TVSH do të përfitojnë rreth 77% e bizneseve.

Kreu i qeverisë duke iu referuar akuzave të opozitës se favorizon oligarkët dhe të pasurit, tha se, taksimi për biznesin e madh është rritur. Më tej, Rama foli për rimëkëmbjen e biznesit dhe për të dhëna inkurajuese pas pandemisë duke thënë se ka rritje të aktivitetit tregtar.

“Do t’i marrim një nga një zotimet tona dhe do t’i ballafaqojmë me shifrat dhe faktet dhe jo me shpifjet dhe sajesat apo duke kundruar realitetin shqiptar jo nga terreni i punës, por nga terreni i llafeve”, përfundoi kryeministri.

Sot, Komisioni për Ekonominë dhe Financat ka miratuar projektligjin ““Për një shtesë në ligjin nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar””. Gjithashtu ky komision miratoi dhe projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar”.