Lideri i opozitës Lulzim Basha ka reaguar ndaj raportit të Freedom House ku e cilëson Shqipërinë si një vend me një demokraci pjesërisht të lirë dhe në krahasim më një vit më parë ka rënë një shkallë në vlerësim global. Më anë të një statusi në rrjetet sociale, kryedemokrati thekson se duhet një ndryshim. “Sipas Freedom House Shqipëria ka rënë poshtë në indeksin politik dhe të drejtave te njeriut. Shqiptarët sot jetojnë në një vend që ka probleme të mëdha me demokracinë dhe përfaqësimin e tyre, me korrupsion në nivelet më të larta, me censurë për mediat, me krimin që nuk ndëshkohet me institucionet e kapura nga një parti. Sa më gjatë qëndron kjo qeveri, aq më keq bëhet jeta për njerëzit. Shqiptarët kërkojnë ndryshim! #ditemetemira”, shkruan Basha.
Sipas raportit që vlerëson vitin 2019, Shqipëria ka humbur një pikë, duke kaluar në një vlerësim nga 68 në 67. Kjo i atribuohet në pjesën më të madhe përplasjeve të fuqishme politike që ndodhën gjatë vitit në ven, ku analistët theksojnë se nuk mund të thuhet “as se gjendja po përkeqësohet, por as po përmirësohet”. Nën nënkategoritë e procesit elektoral, pluralizmit a pjesëmarrjes politike dhe qeverisë funksionale, vendi siguron 27 nga 40 pikë në total, ndërsa liritë e të shprehurit dhe besimit, të drejtat e organizimit, sundimi i ligjit dhe të drejtat individuale vlerësohen me 40 nga 60 pikë në total.