Kreu i Partisë Demokratike tha se raporti i OSBE konfirmon që votimet e 30 qershorit ishin antikushtetuese dhe u mbajtën në kundërshtim me dekretin e Presidentit. Basha tha se me këtë raport erdhi konfirmimi se nuk kishte zgjedhje. “Raporti ka rrëzuar jo vetëm votimet, por të gjithë shtetin”, tha Lulzim Basha.
“Raporti i OSBE/ODIHR është një raport zgjedhor që ngjan si një raport për ngjarje kriminale. Është një raport që duhet të shërbejë për të nisur hetimet për një sërë personash dhe institucionesh. Nuk ka ligj që nuk ka mbetur pa u shkelur”, u shpreh Basha. “në mënyrë të veçantë nga KQZ, i cili portretizohet më shumë se një institucion partiak, se sa i pavarur kushtetues. i vetmi aspekt normal që ka gjetur raporti është që socialistët nuk janë rrahur me njëri-tjetrin, në qendrat bosh”.
“Votimet e 30 qershorit ishin antikushtetuese, të paligjshme dhe të pandershme. Ishin një farsë moniste dhe shkatërrim i demokracisë. Për këto arsye, 30 qershori ishte një grusht institucional për kapjen e pushtetit vendor nga Edi Rama që u organizua në bashkëpunim me krimin e organizuar”, shtoi Basha.
Basha shtoi se Rama mund të emëronte kë të donte në këto votime, pa garë, por edhe në këto kushte ai zgjodhi persona me të kaluar të inkriminuar. “Edhe pa asnjë konkurrent, ai vodhi, manipuloi dhe shkeli çdo ligj e çdo standard”, u shpreh kreu i PD.