Ministria e Brendshme italiane ka botuar një raport mbi situatën e krimit, ku flitet edhe për organizatat kriminale shqiptare.
Raporti i është përcjellë senatit italian dhe i referohet periudhës periudhën janar-qershor 2017.
Sipas raportit, në pjesën për kriminalitetin me bazë grupet shqiptare thuhet se ato janë të mirëorganizuar dhe baza e tyre janë lidhjet farefisnore, çka e bën akoma më të vështirë përçarjen dhe evidentimin e tyre.
Raporti thotë se disa grupe shqiptare në Itali ende mbështeten në rregulla dhe ligjshmëri kanunore, një kod zakonor që daton në shekullin e 15-të dhe në këtë linjë përmend edhe rastet e gjakmarrjes.
“Ky barbarizëm mund të jetë çelësi për të lexuar vrasjen e dyfishtë në nëntor 2016 në Canegrate (MI), dhe u zgjodh nga karabinierët në maj 2017 me arrestimin e porositësve”. Në atë periudhë, u vranë dy vëllezër shqiptarë nga Mirdita, Agron dhe Alban Lleshaj, 27 dhe 24 vjeç. Shkak për krimin e rëndë u bënë grupet rivale kriminale aktive në zonë.
Raporti pohon se grupet kriminale në Serbi, Bosnje, Mal të Zi, Kosovë dhe Shqipëri kalojnë përmes detit Adriatik për aktivitetin e tyre kriminal.
Në raport shkruhet se: “Në territorin kombëtar (italian) është e konsoliduar prezenca e grupeve kriminale shqiptare, fleksibiliteti i të cilave në veprim ka lejuar në njërën anë diversifikimin e aktiviteteve të paligjshme dhe në anën tjetër ka zgjeruar praninë e tyre në rajone të ndryshme italiane, duke filluar nga Pulia.
Territori i Pulias, në fakt, ishte zona e celulave të para kriminale shqiptare dhe përfaqëson ende sot një vend të detyrueshëm të zbarkimit të aktiviteteve të paligjshme që vijnë nga Shqipëria dhe nga zonat ballkanike. Me kalimin e kohës, megjithatë, kjo formë e krimit ka arritur të zgjerohet edhe në pjesën tjetër të territorit kombëtar, duke u bërë bashkëpunëtor të privilegjuar i shumë partneriteteve, falë edhe tendencës së fortë për të bërë aleanca multietnike”.
Raporti specifikon se shqiptarët janë në gjendje të menaxhojnë, me theks të veçantë heroinën, gjithë zinxhirin e trafikut; nga kontaktet me prodhuesit në kanalet e shpërndarjes, duke u bërë shpejt furnizuesit kryesorë të grupeve italiane, falë aftësisë për të përsosur substancën bazë në laboratorë në mënyrë specifike.
Struktura e mafies shqiptare
Operacionet e kryera nga policia i kanë lejuar ata të studiojnë fenomenologjinë e organizatave kriminale shqiptare në përshkallëzimet e tyre progresive, nga të cilat janë zbuluar disa elemente karakteristike të krimit shqiptar.
Disa analistë të karabinierëve kanë vënë në dukje se mafia shqiptare ka një profil të ngjashëm sociologjik me Ndrangetën: me bashkëpunëtorë që i përkasin të njëjtës familje, të njëjtin qytet apo edhe të njëjtën lagje.
Bandat shqiptare kanë gjithashtu një tipar që të kujton klanin kalabrez, me një strukturë përgjithësisht horizontale (te Cosa Nostra organizimi është vertikal), brenda të cilit njihet vetëm lideri suprem duke qenë se personat e tjerë, anëtarë të bandës mund të zëvendësohen.
Ashtu si te Ndrangeta, edhe te mafia shqiptare, çdo familje ka kontroll të plotë në territorin që operon, dhe monopol të çdo aktiviteti, të ligjshëm dhe të jashtë-ligjshëm.
Banda mafioze shqiptare mbështetet kryesisht tek lidhjet e gjakut dhe farefisnore. Lidhjet mes familjeve të ndryshme janë forcuar më tej nëpërmjet martesave. Duke qenë se ata janë shumë të lidhur me njëri- tjetrin është e vështirë të dalin të penduar (familjarë që dëshmojnë kundra familjes).
Raporti përfundimtar i Komisionit Parlamentar Anti-Mafia, theksoi se për sa i përket strukturës organizative shqiptare, kjo e fundit është karakterizuar nga tre nivele të ndryshme të cilat së bashku manifestojnë sot një nga nivelet më të larta për aftësi kriminale transnacionale.
Ajo që bie në sy është se si shqiptarët kanë zënë territoret të cilat i mbajnë nën mbikqyrje të rreptë dhe aty zhvillojnë një sërë aktivitetesh ilegale që e kanë bërë Shqipërinë udhëkryq të trafikut të drogës dhe trafikimit të qenieve njerëzore.
Këto organizata janë si një lloj klani, me bazë familjare, megjithatë të shpejta në kapjen e mundësive të ofruara nga globalizimi i tregjeve dhe për të kërkuar forma të ndryshme bashkëveprimi.
Klanet shqiptare, edhe pse jo të gjitha janë të organizuara mirë, kanë rregullat e tyre të brendshme, me metodat e nënshtrimit, me Omerta-n (kodin e heshtjes) etj, mjaft të ngjashme me organizatat mafioze kryesore.
Mafia shqiptare është e ngjashme me mafiat e tjera jo vetëm në karakteristikat reale “mafiogjene” por edhe në format e gangsterizmit urban, banditizmit dhe në karakterin multi-etnik.
Kjo të kujton Ndragetën kalabreze, si organizatë që vepron në bazë të lidhjeve etnike ose familjare shumë të ngushta. Ata përdornin metodat e dhunshme dhe më brutale për të siguruar dominimin ndaj grupeve të tjera.
Organizata gjithashtu përfshin një strukturë të caktuar në zona të ndryshme të Europës, të përbërë nga njerëz që jetojnë përgjithmonë në lëvizje, të ashtuquajturit trafikantët, përgjegjës për transportin e drogës. Në fund janë dhe korrierët, që janë materialisht përgjegjës për shpërndarjen e drogës, por që kanë një profil më të ulët. Dhe pas tyre vijnë tregtarët që shumë rrallë janë shqiptarë.
Udhëheqësit qëndrojnë pothuajse gjithmonë në vendin amë, ku ata japin udhëzime.
Vazhdimësia e strukturës sigurohet më pas nga një seri qelizash operative që kanë arritur me kalimin e viteve të marrin lejen e qëndrimit në territore të ndryshme kombëtare, në të cilat ata veprojnë dhe që përbëjnë pikën themelore të përshtatshme për trafikantët.
Policia thekson se organizatat duken shumë të vendosura, të përbëra nga individë të dhunshëm që shumë rrallë pendohen dhe të lidhur ngushtë me grupet e banorëve në Shqipëri.
Roli i grave
Ajo që është interesante në raportin kriminal të Ministrisë së Brendshme italiane, është fakti që në organizatat kriminale shqiptare, është parë një rritje e pjesëmarrjes së grave, madje edhe në poste drejtuese,
Ndryshe nga e kaluara ku shqiptarët njiheshin gjerësisht si të lidhur me prostitucionin, tani ata janë tepër aktivë në grabitje të armatosura, trafik droge e krime të tjera.