Kryeministri Edi Rama i ftuar në emisionin “Studio e Hapur” në ‘News 24’ ka folur për marrëdhënien e tij me mediat dhe gazetarët. I pyetur nga gazetarja nëse kjo është një strategji Rama tha se:
“Kur isha në shkollë, rrija në fund kur bënim gjimnastikën e mëngjesit, ai që drejtonte gjimnastikën ma bënte me gisht mua, pse nuk i bën lëvizjet si duhet pavarësisht se të tjerët ishin përgjumësh. Por është efekti i gjatësisë që të vë në qendër të vëmendjes. Ka ndryshim të madh mes kritikës dhe shpifjeve të pabazuara. Kush më njeh e di që unë stimulohem nga kritikat dhe kundërshtimet në diskutim, por kritikat ngrihen mbi ide, ndërsa balta e shpifjeve nuk është kritikë. Ka gjithnjë një moment kur duhen thëna disa të vërteta, që s’janë absolute por janë të miat. Nuk janë strategji për denigruar ndokënd, por është e vërtetë, për të cilën gjithkush ka arsyet e veta, por këto i kam dhe unë, jo vetëm ju,” tha Rama.
“Bëji një pyetje vetes, se pse ajo që thashë unë në konferencë nuk skandalizoi askënd. Nuk mendoj se ka ndonjë gjë për t’u çuditur nëse edhe kryeministri shpreh opinione. Bëni një anketim e do çuditeni, sot në opinionin publik mediat janë po aq të pabesueshme sa gjykatat, niveli më i ulët i besueshmërisë në Republikën e Shqipërisë”, tha Rama.
“Nëse unë shpreh opinionin tim, ju duhet ta merrni si opinion dhe si një të drejtë që nuk ma hiqni dot dhe nuk ma ndaloni dot.
Ka vetëm një bumerang që unë i tremben janë vetëm veprimet e mia në punën që unë bëj.
Bumerangu nga veprimeve të gabuara janë e vetmja gjë që mua më shqetëson”, shtoi Rama.