Politika Raporti për zgjedhjet, ish-zv/kryeministrja i përgjigjet Ramës: Fakti që…

Raporti për zgjedhjet, ish-zv/kryeministrja i përgjigjet Ramës: Fakti që…

Ish-zv/kryeministrja teknike, Ledina Mandija, i është përgjigjur ditën e sotme kryeministrit Rama në lidhje me cilësimin e këtij të fundit të raportit për zgjedhjet si të njëanshëm.

Zv.kryeministrja, Ledina Mandija Mandija thotë se puna e taks-forcës ka qenë profesionale, pavarësisht pëlqimeve politike të kryeministrit.

REAGIMI

Duke marrë shkas nga deklarata e kryeministrit për njëanshmëri të “raportit” dhe mosqënien e tij në nivelin tim profesional, dëshiroj të sqaroj se materiali përmbledhës është pasqyrim i plotë, i saktë dhe sistematik i materialit të dërguar në kohë pranë Task-Forcës nga të gjitha institucionet shtetërore.

Jo pa qëllim është quajtur material përmbledhës pasi nga ana e zyrës se Zëvendëskryeministrit nuk është ndryshuar apo shtuar asgjë që nuk është referuar apo raportuar. Fakti që informacionet apo raportimet e vetë institucioneve shtetërore apo edhe zhvillimet e përditshme të situatave gjatë përmbushjes së misionit të Task-Forcës mund të mos i pëlqejnë forcave të caktuara politike nuk e bën raportin të njëanshëm apo jo profesional.

Jam udhëhequr vazhdimisht nga bërja e transparencës së plotë kundrejt opinionit publik dhe pasqyrimi me profesionalizëm i të dhënave dhe fakteve që më janë raportuar dhe konsideroj se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë themeli i një sistemi demokratik të një shteti që aspiron të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian.