Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se nuk ka alternativë tjetër, përveç vettingut ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend.
Në një konferencë për mediat, Kurti, duke iu referuar rastit të një 11-vjeçareje në Prishtinë, e cil au trafikua dhe përdhunua, u shpreh se dhunuesit ecnin të lirë edhe pse kishin kryer vepra penale.
“Gjyqësori ynë përkundër të gjitha garancive kushtetuese, ngjan sikur mundohet të dëshmojë të kundërt. I akuzuar dhe i dënuar për shumë vepra penale, dhunuesi ecën i lirë nëpër rrugët e Prishtinës. Dhunuesi lirohet pas 8 muajsh burgim, dhunuesi nuk rehabilitohet, dhunuesi përsërit veprën, e madje dhunuesi edhe vret. Nuk ka alternativë ndaj vettingut në sistemin gjyqësor prokurorial. Këtë e kuptojnë edhe vetë aktorët e këtij sistemi dhe ata më skeptikët për vettingun”, theksoi Kurti.
Gjashtë personave të arrestuar nën dyshimin se në muajin qershor kishin kryer trafikimin e një 11-vjeçareje në Prishtinë, u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
11-vjeçarja është përdhunuar edhe nga pesë persona më 27 gusht. Për pesë të dyshuarit, autoritetet në Kosovë kanë caktuar masën e paraburgimit prej nga një muaji për secilin.
Për rastin, më 30 gusht ka dhënë dorëheqje drejtori i përgjithshëm Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti për “arsye personale dhe ndërgjegje profesionale”.
Një ditë pas dorëheqje ka dhënë edhe Ali Gashi, i cili ka udhëhequr Drejtorinë për trajtimin e të burgosurve dhe të miturve në Shërbimin Korrektues të Kosovës.